Gjërat që mund të kenë ndikim në ndeshjen Milan-Juventus

Juventusi udhëton në San Siro, për të zhvilluar ndeshjen e madhe kundër Milanit i cili është në top formë. Më poshtë i keni të shtjelluara disa nga gjërat që pritet të kenë ndikim të madh në këtë derbi.

Sport

20/09/2014 17:24

Juventusi ka qenë në formë të madhe në disa vitet e fundit duke fituar tre herë radhazi Scudetton, ndërsa një ngjarje krejtësisht tjetër ka përjetuar skuadra e Milanit, e cila ka vuajtur shumë. Pas triumfit në Serie A në sezonin 2010-11, Milani përfundoi në vendin e dytë në sezonin 2011-12, në vendin e tretë në 2012-13, ndërsa sezoni 2013-14 ka qenë katastrofal për rosonerët të cilët kanë përfunduar në vendin e tetë.

Sidoqoftë, sezoni i ri ka qenë i shkëlqyer për Milanin që ka shënuar fitore në dy ndeshjet e para, kundër Lazios dhe kundër Parmës. Juventusi do të jetë një test shumë serioz për skuadrën e Inzaghit.

Nigel de Jong vs Arturo Vidal

Arturo Vidal ka shkëlqyer çdo herë për fanellën e Juventusit, teksa  e njëjta gjë nuk mund të thuhet për mesfushorin e Milanit, i cili nuk ka qenë shumë stabil. Beteja në mesfushë gjatë ndeshjes së sotme pritet të jetë shumë e madhe.

Mesfusha do të ketë ndikimin kryesor në këtë takim. Nëse De Jong lejon që Arturo Vidal të triumfojë, atëherë është e sigurt se edhe Juventusi do të arrijë të triumfojë.

Pasiguria e mbrojtjes së Milanit

Inzaghi duhet të rikuperojë problemet që ka skuadra e tij në fazën defanzive, sidomos pas ndeshjes kundër Parmës, ku pranoi katër gola. Mbrojtja e Milanit, gjithashtu në ndeshjen ndaj Lazios bëri një penalti dhe realizoi një autogol.

Një gjë e tillë duhet të mos ndodh me Juventusin, pasi Biankonerët i shfyrtëzojnë shumë mirë gabimet e kundërshtarit. Për më shumë, ata nuk pranojnë shumë gola.

Filippo Inzaghi vs Massimiliano Allegri

Si për Inzaghin ashtu edhe për Allegrin, është sezoni i parë që janë në krye të Milanit respektivisht Juventusit. Ata pritet të kenë një ndikim mjaft të madh në këtë takim.

Derbi Milan-Juventus çdo herë ka qenë derbi taktik, me pak gola dhe me siguri nga të dyja skuadrat. Trajnerët duhet të kenë një kujdes të madh, sidomos me zëvendësimin e lojtarëve, pasi mund të jenë pika kryesore e takimit.