Gjepurat për “Republika Srpska”

Sipas Ambasadorit Ian Cliff, janë “gjepura” pretendimet për ta lidhur Asociacionin e Komunave Serbe me “Republika Srpska”. Ai pret të shohë nëse Vetëvendosje do t’i gjuajë vetes domate, në rast se shprehet e pakënaqur me qeverisjen në Prishtinë.

Lajme

06/12/2013 13:57

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, i ka konsideruar si “gjepura” pretendimet se Asociacioni  Komunave Serbe mund të çojë në krijimin e një entiteti të veçantë në Kosovë, të ngjashëm me “Republika Srpska” në Bosnje.

Cliff, i cili ka shërbyer për katër vjet Ambasador i shteti të tij në Bosnjë e Hercegovinë ka thënë se drejtuesit serbë të komunave duhet të punojnë me ligjet e Kosovës.

Ambasadori Britanik në Kosovë, Cliff, sa i përket thirrjes nga Beogradit për ta votuar “Iniciativën Qytetare Serbe” në zgjedhjet e komunave serbe, ai ka një përgjigje.

“Ashtu si kudo tjetër, ka pasur dëshirë për ndryshim në komunitetin serb edhe në jug, duke parë veriun. Puna e tyre është që të punojnë nën ombrellën e Kosovës, me ligjet e Kosovës”, ka thënë Ambasadori Cliff në një intervistë për të përditshmen “Kosova Sot”.

”Më pëlqen ta quaj si proces të sjelljes nën ombrellën e institucioneve të Kosovës. Është një proces, nuk është një ngjarje dhe kjo do të kërkojnë kohë”.

Cliff ka thënë se zgjedhjet lokale treguan se ku gjenden partitë me vota. Për disa nga partitë që dështuan ishte “një test”.

Ndërsa Vetëvendosja, sipas tij, ka rast të mirë të dëshmojë se është parti dhe jo më lëvizje.

“Disa nga partitë politike që dështuan për kryetarë të komunave, ishte një test për ta për ta parë se ku mund të qëndrojnë në zgjedhjet e përgjithshme. Kjo është diçka që shumë liderë politikë po e shikojnë shumë afër në këto moment”.

“Do të ishte interesante të shihet nëse Vetëvendosje do t’i hedhë domate vetvetes nëse nuk janë të lumtur për diçka. Kam thënë gjithmonë nëse këta janë një lëvizje apo një parti politike, dhe ky do të jetë një rast i mirë që ata të dëshmojnë se janë një parti, e jo më një lëvizje”, është shprehur ai.

Ian Cliff ka thënë se zgjedhjet lokale kanë treguar se në disa vende duhet bërë reforma zgjedhore dhe mbi të gjitha pastrim i listave të votimit, pastaj mbajtja e zgjedhjeve parlamentare.