Gjeorgjia dyfishon masat kundër martesave të gjinisë së njëjtë

Partia qeverisëse e Tbilisit, “Ëndrra Gjeorgjiane” ka marrë qëndrim të çuditshëm për të justifikuar propozimin e saj rreth ndalimit përmes Kushtetutës për martesat e çifteve të gjinisë së njëjtë në ish-republikën sovjetike.

Bota

26/06/2017 15:32

Në shumicën e vendeve, kundërshtarët e martesave të këtyre çifteve i bazojnë argumentet e tyre në doktrina fetare, tradita, çështje morale dhe shqetësime të ndryshme të prindërve.

Mirëpo kryetari i Parlamentit të Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze, njëherësh edhe udhëheqës i Komisionit Shtetëror Kushtetues, ka thënë se “Ëndrra Gjeorgjiane” dëshiron të ndryshojë përkufizimin e martesës me Kushtetutë, për të parandaluar “grupet e caktuara” nga nxitja e ndjenjave homofobike dhe anti-perëndimore.

Kobakhidze i bëri këto deklarata gjatë një prezantimi para Komitetit parlamentar për Integrime dhe të Drejta të Njeriut.

“Ne i respektojmë të drejtat e çdo grupi, përfshirë minoritetet”, ka thënë Kobakhidze para këtij komiteti. “Prandaj një ndryshim i tillë, nuk do të jetë bazë për diskriminim”.

Por, Beka Gabadadze, aktivist i shoqatës Temida me bazë në Tbilisi, që mbron të drejtat e komunitetit LGBTQI, ka thënë se ligjvënësit e “Ëndrrës Gjeorgjiane” janë përgjegjës për shtimin e homofobisë duke bërë fushata për ndalime kushtetuese për martesat e çifteve të gjinisë së njëjtë.

“Në Ëndrrën Gjeorgjiane ka politikanë konservativë të cilët janë homofobik. Kryetari i Parlamentit frikësohet ta pranojë faktin se ata janë homofobik dhe po provojnë të miratojnë ligje të tilla”, ka thënë ai.

“Unë si një person gej, mund të them se kampanja e tyre është duke forcuar stereotipet negative dhe po rritë komentet homofobike”, ka shtuar Gabadadze.

Masat e reja janë në mesin e shumë amendamenteve kushtetuese të propozuara nga partia “Ëndrra Gjeorgjiane”.

Në Kushtetutën aktuale të Gjeorgjisë thuhet se “martesa duhet të bazohet në të drejta të barabarta dhe vullnet të lirë të bashkëshortëve”.

Nuk deklarohet hapur se martesa është e lejueshme vetëm mes gjinisë së kundërt.

Sidoqoftë amendamenti i propozuar nga “Ëndrra Gjeorgjiane”, definon martesën si “bashkim në mes të një gruaje dhe burri… e bazuar në të drejta të barabarta dhe vullnet të lirë të bashkëshortëve”.

Pas draftimit të amendamentit nga Qeveria gjatë prillit, 11 organizata joqeveritare në Gjeorgji patën bërë thirrje që të shtohet edhe rregullohet me ligj edhe pjesa “forma të tjera të jetesës”. Me anë të kësaj shtese do të mund të mbetej e hapur mundësia për lidhjet në mes të personave të gjinisë së njëjtë.

Gabadadze ka thënë se nuk pritet nga partia “Ëndrra Gjeorgjiane” të hap rrugë drejt lejimit të lidhjeve mes gjinisë së njëjtë në Gjeorgji.

Ai ka parashikuar se do të rritet numri i sulmeve urrejtëse kundër këtij komuniteti nëse amendamenti do të miratohet. Miratimi pritet të bëhet pasi “Ëndrra Gjeorgjiane” ka 115 nga 150 ulëse sa ka gjithë Parlamenti.

Ai po ashtu i ka fajësuar politikanët e kësaj partie pasi sipas tij, të njëjtit kanë përmendur këtë çështje, si pjesë të premtimeve në fushatën elektorale në zgjedhjet e vitit 2016.

“Lëvizjet e komunitetit LGBT në Gjeorgji nuk kanë mbajtur ndonjëherë kampanja për legalizimin e martesave ose bashkimit të çifteve të gjinisë së njëjtë”, ka thënë Gabadadaze, duke shtuar se këto martesa janë të ndaluara hapur, në bazë të kodit civil të Gjeorgjisë.

“Është e vërtetë se homofobia në Gjeorgji është shumë e pranishme, andaj politikanët janë duke përdorur homofobinë e tyre politike për të rritur ndikimin brenda shtetit”, ka shtuar më tutje Gabadadze.

“Ne e dimë tashmë se deklarata të tilla për martesat e këtyre çifteve janë aktuale në Gjeorgji kur vjen koha e zgjedhjeve apo krizave politike”.

Studimet e 15 viteve të fundit tregojnë se nga të gjitha grupet minoritare në Gjeorgji, anëtarët e komunitetit LGBT, gjenden në presionin më të madh, pasi 80 për qind e respodentëve të anketuar kanë pasur qasje shumë negative ndaj homoseksualitetit. /REL/