Gjeneralin e presin edhe tri luftëra (Skicë për portret/Ramush Haradinaj)

Askush në Kosovë si ai nuk e ka vënë veten në sprovë dhe nuk e kanë vënë të tjerët po aq në sprovë të jashtëzakonshme dhe, për çudi, pas gjithë atyre dramave, ai ka mbetur sërish vertikalisht.

Lajme

24/05/2017 15:40

Vertikalisht qëndroi edhe kur u vu para drejtësisë franceze, mbase pretendimi i fundit i shtetit serb për ta mbështetur për muri këtë figurë emblematike të Kosovës së luftës dhe të Kosovës shtet. Të rrallë kanë qenë ata që kanë besuar në përcaktimin e tij për t’u bërë kryeministër i Kosovës për t’u përballur dhe me tri lufta të tjera: zhdukjen e korrupsionit, eliminimin e radikalizmit islamik dhe, përgjithësisht, konsolidimin e shtetit të së drejtës në Kosovë. Me këtë rast dëshiroj të ribotoj një tekst botuar në librin “Me gjurmëmëdhenjtë e Kosovës”, Prishtinë, 2015, i cili, në mesin e protagonistëve kryesorë të luftës dhe shtetbërjes së Kosovës, rendit edhe gjeneralin Ramush Haradinaj. E pashë që tekstit të botuar në këtë libër nuk duhet t’i shtoj asgjë e atje të titulluar “Në amzën e anzave” ashtu siç nuk i kam shtuar asgjë, po të njëjtit tekst kushtuar portretit të Ramush Haradinajt në revistën “Kosovarja” që u shkrua me kërkesë të kryeredaktorit të revistës

Derisa redaktoja lajmet e luftës në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH), vazhdimisht vinin informacione për një komandant me këmbëngulësi dhe trimëri të jashtëzakonshme. Në një moment kur UÇK-ja u gjet në sprovën me të madhe të ekzistencës së saj, si përballë ushtrisë serbe ashtu edhe përballë një ushtrie tjetër të padukshme, që s’kishte armë, por që kishte fuqinë e vendosjes – pra të faktorit relevant ndërkombëtar, se kjo ushtri nuk do të ekzistojë, pak kush kishte shpresa se ajo njëmend do të mund të mbijetojë nga një trysni e tillë. Thuhet se vetëm njëri nuk u mëdysh kurrë, madje edhe atëherë kur e braktisi edhe numri më i madh i bashkëluftëtarëve të tij: “Do të luftohet deri në vdekje” ishte motoja e Ramush Haradinajt.

Historia e një legjendari

I ardhur nga një vend ku kishte të gjitha kushtet për jetë të mirë, por i larguar po kështu nga një vend, i cili me dhjetëvjetësha ishte shënuar si çerdhe e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, me shumë protagonistë pas vetes të cilët ishin mbledhur nëpër burgjet jugosllave, ai do të shndërrohet në një legjendë të luftës. Këtë histori të legjendës do ta paguajë më vonë shtrenjtë duke u dërguar dy herë që të ballafaqohet me gjyqtarët e Tribunalit të Hagës për krime lufte, mirëpo pavarësisht nga të gjitha, historia e luftës së tij është histori tipike për një roman nga ato që kanë si kryepersonazh heronjtë antikë. Pra është një përshtypje e përgjithshme në Kosovë se nëse duhet veçuar ndonjë nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga ato pak që do të mund të viheshin në piedestalin e saj, pamëdyshje se ai është protagonisti i kësaj skice. Ka shumë rrëfime, disa edhe anekdotike për luftën dhe për qëndrimin e komandant Ramush Haradinajt, disa madje qëndrojnë mu në mes të realiteti dhe mitit, por pavarësisht prej asaj çfarë thuhet, ai vazhdon të mbetet një hero i gjallë i Kosovës. Për fatin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më shumë se për fatin e tij personal, por edhe për të mirën e Kosovës, këtë heroizëm të tij dhe luftën e drejtë çlirimtare pa cenuar fare as në ligj të saj, do ta konfirmojë dy herë edhe Tribunali i Hagës. Më shumë se për të personalisht, vendimi i këtij Tribunali ka rëndësi jo vetëm për të sotmen, por edhe për brezat e ardhshëm të Kosovës. Protagonizmi i tij në luftë flet shumë edhe për të gjallët edhe për të vdekurit, edhe për ata që jetojnë sot edhe për ata që do të vijnë. Ky është një kapitull jetësor i një protagonisti lufte që rrallëkush mund ta ketë ndër popujt e Evropës, pavarësisht pse ne nuk dimë t’u japim heronjve tanë përmasa të tilla. Ai personalisht, ç’është e vërteta i foli,atë më të mirën që diti, edhe Kosovës edhe botës nga banka e të akuzuarit në Hagë, se luftëtari vazhdimisht mbetet luftëtar edhe atëherë kur për të ngrihen këmbëza e ndërkëmbëza pa as një argument të vetëm. Thuhet se i drejti e ka më së vështiri të mbrohet nga padrejtësia, sepse ai në as një çast nuk mendon si ata që ngritin kurthe, dhe ajo punë është bërë kuintesencë e jetës së tyre. Ka mbetur ende shumëçka e pandriçuar se kush e si e dërgoi Ramush Haradinajn në Hagë edhe atë dy herë për të mbrojtur atje dinjitetin e luftëtarit. A pati në këtë udhëtim dramatik të dyfishuar të Ramush Haradinajt për në Hagë edhe shtytje të njerëzve të Kosovës të cilët deri shumë vonë i kishin shërbyer devotshmërisht shërbimit kriminal sekret serb, kjo çështje asnjëherë nuk është shtruar. Dikush mund të thotë se kujt i duhet kjo tani dhe pse gishti duhet drejtuar pikërisht te plagët brenda nesh. Kushdo që thotë kështu, e ka gabim sa është i rëndë. Mbi UÇK-në, krahas Beogradit propaganda herë më hapur e herë më fshehtë, tash e më shumë se 15 vjet, po bëhet edhe brenda etnitetit shqiptar në Kosovë dhe ata denoncues nuk kanë se si të mos jenë pjesë edhe e përpilimit të akuzave kundër Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt. Dhe ata kanë ndihmuar shumë që këta dy të dërgohen në Hagë.

Protagonisti i dytësuar

Sidoqoftë, kapitulli i luftës së Ramush Haradinajt është mbyllur si është më së miri dhe faqet e këtij kapitulli bëjnë pjesë në historinë më të lavdishme të popullit të Kosovës. Kam thënë shpesh, e përsëris edhe në këtë rast: Historia e protagonistëve të luftës në Kosovë është e veçantë dhe ajo nuk duhet assesi të përzihet me historinë e të njëjtëve protagonistë në skenën politike të pasluftës në Kosovë.

Nuk dihen motivet se pse Ramush Haradinaj pas luftës nga një komandant që mori pjesë në transformimin e UÇK-së në TMK dhe hapi rrugë që ajo të shndërrohet në FSK, me shumë mundësi që një ditë të jetë Ushtria e Kosovës, pra nuk dihet se pse ai e braktisi uniformën ushtarake dhe doli në skenën politike të Kosovës duke krijua një parti politike kur ekzistonte një tjetër që jo vetëm për bazament, por edhe ne tërë strukturën e saj kishte udhëheqësit dhe komandantët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra, çfarë nevoje ekzistonte për themelimin e një partie të dytë nga ai, kur fare lehtë ai mund të hynte në strukturat e PDK-së dhe me kontributin e tij të fitoheshin zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të pasluftës në Kosovë. Ai ishte kjo një ndërmarrje partiake kontribut për proceset demokratike tejet të brishta në Kosovë, apo pikërisht ajo pengoi për vite të tëra për ta marrë pushtetin në Kosovë, kjo është një pyetje të cilës deri më sot askush nuk ka provuar ti japë ndonjë përgjigje. Pavarësisht prej të gjithave, Ramush Haradinaj i cili tash e më shumë se një dekadë udhëheq Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, mbeti kryetar i saj edhe në dy raundet e gjata të gjykimit të tij në Hagë dhe në të gjitha zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Kosovë, ajo ka dëshmuar se është një subjekt serioz politik me një elektorat të qëndrueshëm. A lidhet qëndrueshmëria e tij elektorale vetëm më përkatësi lokale ashtu siç lidhen edhe subjektet e tjera politike parlamentare në Kosovë apo brenda kësaj partie ka edhe vlera të tjera, që e bëjnë subjekt të qëndrueshëm në skenën politike të Kosovës, edhe në këtë pyetje askush nuk ka provuar të japë përgjigje. Në një përllogaritje politike mbase ndër më të çuditshmet në Kosovë, Ramush Haradinaj do të arrijë të bëhet kryeministër i Kosovës dhe kjo është arritja më e madhe e tij në skenën politike. Për qëndrimin e tij të shkurtër para se ai të dërgohet në Hagë, ka komente të ndryshme, megjithatë, ekziston një bindje e përgjithshme se në pozitën e kryeministrit Ramush Haradinaj tregoi energji të jashtëzakonshme dhe aftësi po kështu të mëdha për vendimmarrje.

Hija e llogarive të gabuara

Hija e kryeministrit atë do ta përcjellë në tërë vitet pasi u largua dhunshëm nga kjo detyrë dhe ai nuk do ta thotë, por do ta lërë të nënkuptohet, se funksioni i kryeministrit ka qenë funksion për të dhe se më herët, apo me vonë, ai do t’i rikthehet sërish këtij funksioni. Do ta përsërisë këtë dëshirë të tij edhe pas kthimit të dytë nga Haga mirëpo, si po duket, llogaritë nuk i ka bërë mirë. Mbase ra nën ndikimin e atmosferës së pritjes triumfale nga Haga ku edhe kryeministri i Kosovës do të dëshmojë për herë të parë se historinë e luftës me Ramush Haradinajn mund ta ketë të përbashkët dhe se vlerat e saj duhet mbrojtur me të gjitha mundësitë, por historia e protagonistit politik e secilit pas lufte mund të jetë e veçantë. Ai do ta presë Ramush Haradinajn në aeroportin e Prishtinës përzemërsisht dhe si triumfator i luftës edhe në Hagë, porse do t’i lërë të nënkuptojë se në skenën politike të Kosovës llogaritë për funksione do të bëhen mbi votat që ka marrë secili subjekt politik pavarësisht sa të kontestuara janë ato. Këtu edhe pati të drejtë, sepse në fund të fundit rezultati i zgjedhjeve në Kosovë është pranuar nga të gjithë, pavarësisht vërejtjeve më të vogël, apo më të mëdha për parregullsinë e tyre. Çuditeshin jo vetëm analistët politikë por edhe njerëzit e rëndomtë se në situatën e dhënë, si do të mund të bëhej Ramush Haradinaj edhe një herë kryeministër në atë strukturë parlamentare, e cila deri në zgjedhjet e ardhshme nuk ka ndonjë mundësi të bëjë ndonjë ndryshim esencial. Sidoqoftë, kryetari i AAK-së pas ardhjes nga Haga do të dëshmojë se ka kuptuar dhe se ka mësuar diçka atje. Ai do të jetë shumë më bashkëpunues, shumë më i kursyer në fjalë, shumë më kontribuues edhe sa u përket partive politike që kanë aleancë qeveritare, por edhe do të sillet me kujdes të madh edhe me partitë opozitare, sidomos me lëvizjen Vetëvendosje. Ai thjesht do ta ruajë identitetin e partisë së vetë, por do të tregohet shumë i arsyeshëm në raport me kryeministrin e Kosovës për negociatat që zhvillon ai në Bruksel, për marrëdhëniet në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Këto marrëdhënie do ta vënë atë edhe një herë në sprovë, sepse qëndrimi do të jetë diametralisht i kundërt: një palë konsiderojnë se Thaçi në Bruksel përveç se hap çështje jetike që kanë të bëjnë me Kosovën dhe popullin e saj, ai atje, për herë të pare, pas gati dy shekuj, hap një kapitull të ri shqiptaro-serb pas shumë tentativash të Beogradit për ta shfarosur popullin shqiptar në tërësi. Ramush Haradinaj dhe partia e tij do të marrin pozicion pro këtyre negociatave, pavarësisht prej vërejtjeve të kohëpaskohshme për segmente të veçanta të zbatimit të gjermanëve marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.

I adhuruari i gjermanëve?

Ç’është e vërteta, ai ashtu si edhe shumë kush në Kosovë, për sa iu përket raporteve Kosovë – Serbi, do të vihet edhe në sprova të tjera, mbase edhe më të vështira, por logjika e shëndoshë thotë se pas çdo lufte në rruzullin tokësor nuk ka zgjidhje tjetër, pos që palët ndërluftuese të ulen në tavolinën e bisedimeve. Nga ky ligj i shkruar e i pa shkruar nuk mund të përjashtohen as Kosova dhe as Serbia. E ka thënë një i mençur se “asnjëherë nuk duhet frikësuar nga bisedimet, e po ashtu nuk duhet hyrë në to pa u frikësuar”.

Po kështu krahas sprovave të mëdha, në raport me Beogradin, edhe Ramush Haradinaj është nga ata protagonistë të skenës politike që do të vihet në sprovë si me segmente të faktorit ndërkombëtar, prezent në Kosovë ashtu dhe me qendrat e vendosjes ndërkombëtare dhe mund të konsiderohet se kjo është pika më shkëlqyese e politikës së tij. Miq të shumtë ndërkombëtarë dhe me ndikim ndërkombëtar, nuk mundën ta shpëtonin as herën e parë dhe as herën e dytë nga prokurorët e Tribunalit të Hagës, por në mënyrë të pazakontë ata do të shprehen se besojnë që Ramush Haradinaj do të kthehet nga Haga si triumfator. Pra, ata u deklaruan hapur se besojnë në pafajësinë e tij. Në një formë ai do të ketë miq të rëndësishëm ndërkombëtarë edhe në Prishtinë edhe në qendrat e vendosjes ndërkombëtare dhe kjo supozohet se ka qenë vendimtare që Tribunali i Hagës mos t’i marrë parasysh shumë shpifje të Beogradit kundër tij. Edhe si kryeministër edhe si kryetar partie Ramush Haradinaj do të ketë afër vetes amerikanë me renome, të cilët supozohet se e kanë ndihmuar mjaft. Por po kështu, ai do të konsiderojë se pas amerikanëve, aleati më i madh i Kosovës dhe shqiptarëve në Evropë nuk mund të jetë askush tjetër, pos Gjermania. I udhëhequr nga kjo bindje, vizitën e parë të rëndësishme pasi u lirua nga Haga, kryetari i AAK-së do ta bëjë në Gjermani dhe atje do të pritet me protokollin e një burrështetasi dhe kjo nuk ishte pak, në radhë të parë për të personalisht, por edhe për Kosovën, qeveria e së cilës pas prangosjes së tre agjentëve gjermanë mu në mes të Prishtinës edhe atë në mënyrë spektakolare, sikur zhvillon do raporte me shije të hidhur me shtetin më rëndësishëm të Evropës.

Ai – komandant legjendar i luftës;

Ai – njeri i transformimeve brenda këtyre strukturave ushtarake;

Ai – kryetar partie dhe njeri me ndikim në skenën politike të Kosovës;

Ai – mbrojtës i vetës, i virtyteve të një komandanti çlirimtar dhe triumfues në Tribunalin e Hagës dhe atë për dy herë radhazi;

Ai – protagonist i luftës dhe paqes në Kosovën e re, i cili edhe në fazën e pare edhe në të dytën shpesh here u gjet i rrethuar nga amza e anzave, mirëpo vazhdimisht arriti të qëndrojë vertikalisht dhe tu bëjë ballë të gjitha sulmeve të tyre.

Ai, pra Ramush Haradinaj, mund të konsiderohet se do ta vejë veten edhe në sprova të tjera të rëndësishme si ato që i ka kaluar dhe do të dëshmojë se ka çfarë të japë ende në skenën politike të Kosovës.