Gjendet “kutia e zezë”, e dëmtuar

Ka rifilluar operacioni i kërkimit në Alpet franceze, pas rrëzimit të martën të një aeroplan të kompanisë ajrore “Germanwings” me 150 njerëz në bord. Në një prrockë është gjetur edhe njëra nga kutitë e zeza, por sipas zyrtarëve është e dëmtuar.

Bota

25/03/2015 13:48

“Regjistruesi i gjetur nga ekipet e shkuara me helikopter në vendngjarje, është i dëmtuar, por ende nuk mund të japin informacion të saktë”, tha ministri i Brendshëm i Francës, Bernard Cazeneuve. Ai tha se ekipet tashmë janë ende në kërkim për tjetrën “kuti të zezë” nga ku ndoshta mund të nxirren të dhëna që do të mund të qartësojnë shkaqet e rrëzimit të Airbus A320.

Ndërkohë udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Spanjës janë nisur për të vizituar vendin e përplasjes. Për të arritur deri atje nuk ka rrugë tokësore dhe pritet të jetë e vështirë për të gjetur edhe trupat e pajetë. Të mbijetuar nuk ka, pasi ekipet e shpëtimit një ditë më parë e kanë kontrolluar zonën.

Sipas kompanisë ajrore “Germanwings”, 67 nga 144 pasagjerët ishin shtetas gjermanë, duke përfshirë edhe 16 nxënës që ishin në Spanjë për mësimin e gjuhës spanjolle. Më shumë se 40 pasagjerë besohet të jenë spanjoll, por kishte udhëtarë nga Britania, Australia, Japonia, Kolumbia, Turqia, Danimarka, Holanda dhe Belgjika.