Gjendet kura për Ebolën?

Gjendja e dy amerikanëve të prekur nga sëmundja vdekjeprurëse e Ebolës, duket se po përmirësohet. Shenjat e përmirësimit erdhën pasi ata u trajtuan nga një ilaç bioteknologjik eksperimental që prodhohet nga duhani.

Lifestyle

09/08/2014 16:08

Ndërkohë, autoritetet shëndetësore në Shtetet e Bashkuara për vite me radhë kanë bërë fushatë kundër pirjes së duhanit dhe përdorimit të prodhimeve të duhanit për të ulur numrin e vdekjeve nga kanceri. 

Por një kompani që ka vetëm 9 punonjës në Kaliforni, Mapp Biopharmaceutical, ka zhvilluar një serum kundër Ebolës, që e quan Zmapp, nga proteinat terapeutike që gjenden te bima e duhanit.

Kompania ka vënë re rezultate të favorshme nga provat me ilaçin te majmunët e infektuar me virusin Ebola, por zyrtarët e shëndetësisë amerikane nuk e kishin lejuar që kjo të provohej te njeriu.

Megjithatë kompania e vuri në dispozicion për dy amerikanët, gjendja e të cilëve duket se po përmirësohet.