Gjatë vitit punësohen mesatarisht 5-6 mijë veta

Kosova nuk mund që tu sigurojë vende pune të gjithë atyre që janë të aftë për një gjë të tillë, vlerësojnë ekonomistët. Sipas të dhënave zyrtare, Kosovës për çdo vit i shtohen 30 mijë persona të aftë për tregun e punës, por punësohen vetëm 5-6 mijë.

Lajme

02/04/2014 08:44

Kosovës për çdo vit  i shtohen 30 mijë persona  të rinj, të aftë për tregun e punës.

Ekonomistët vlerësojnë se ekonomia e Kosovës nuk është në gjendje që të krijojë vende të reja të punës, ku kërkesa për një gjë të tillë sipas të dhënave zyrtare është shumë e madhe.

Në Kosovë, brenda një viti, tregut të punës i shtohen 30 mijë persona, ndërkaq që punësohen  mesatarisht vetëm 5-6 mijë veta.

Drejtori Ekzekutiv i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Socilae “Strass”, Ibrahim Rexhepi thotë se Qeveria e Kosovës  ende nuk ka një strategji apo dokument me detaje konkrete se si mund të krijohen vende të reja të punës.

“Dokumentet të cilat Qeveria i ka  dhe i ka prezantuar, nuk japin shpresë se do të  mund të absorbohen së paku gjysma e kontingjentit  të të rinjve që hyn në tregun e punës brenda një viti”, ka thënë Rexhepi, shkruan gazeta Kosova Sot.

Ndërkaq Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Biznesit, konsideron se rritja ekonomike, e cila ka qenë në Kosovë këtyre viteve të fundit, nuk garanton punësim as për gjysmën e të rinjve që në vit hyjnë në tregun punës.

“Mendoj se premtimet e mëdha nuk kanë vend për optimizëm në publik, për arsye se ne kemi një gjendje ekonomike jo shumë të mirë. Me një rritje prej 3,5 për qind  në nivel vjetor, këto vende të reja të punës vëshirë që të përmbushen”, ka thënë  ai.

Kurse Visar Hapçiu nga Oda Ekonomike Amerikane, ka thënë se shumë politika që mund të ndiqen që do të kishte efekte pozitive në ekonomi, si “krijimi i lehtësirave fiskale, heqja e TVSH-së për makineri, zgjerimi i listës së produkteve të liruara nga detyrimet doganore etj”.