Gjatë vitit 2014, 17 ministri kanë shpenzuar 349,977 euro për karburant

Viti 2014 edhe pse për 6 muaj në Kosovë, u përshkua nga kriza institucionale e dal pas zgjedhjeve të fundit nacionale, kjo nuk i ka penguar disa nga ministritë e Qeverisë së Kosovës për të bërë shpenzime të mëdha të parasë publike.

Lajme

19/05/2015 15:52

Sipas të dhënave që ka publikuar Instituti për Studime të Avancuara “GAP”, 17 ministri gjatë vitit 2014, kanë shpenzuar 349,977 euro për karburant për vetura.

Nga të dhëna e GAP, ashtu sikur shpenzimet për dreka zyrtare edhe shpenzimet për karburante janë më të lartat që nga viti 2012, kur ky institut bënë monitorimin e shpenzimeve të ekzekutivit.

Po ashtu, sipas të dhënave të GAP-it, kabineti i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ka shpenzuar më së shumti, kurse sa i përket ministrave më se shumit ka shpenzuar ish – ministri Nenad Rashiq.

“Nga të dhënat e grumbulluara, del se brenda vitit 2014 kabinetet e 17 ministrive kanë shpenzuar 349,977 euro për karburant për vetura. Ashtu sikurse edhe me drekat zyrtare, edhe shpenzimet për karburant janë më të larta më 2014 se sa në vitet paraprake. Kjo është më shqetësuese kur dihet se 2014 ka qenë vit zgjedhor”.

“Kabineti i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale ka shpenzuar më së shumti, apo 50,859.77 euro. Pas MPMS-së radhitet Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovë me 30,010 euro; Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me 27,620 euro, etj”.

“Ministri i cili ka shpenzuar më së shumti karburant për veturën e tij zyrtare është ish-ministri i MPMS z. Nenad Rashiq me 11,921.63 euro të shpenzuara. Pas tij vijnë ish-ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit z. Memli Krasniqi me 9,015 euro të shpenzuara, ish-ministri i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovë z. Agim Çeku me 8,520 euro, etj”.

“Në rangun e zëvendësministrave, është ish-zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës z.Emin Krasniqi e mban vendin e parë me shpenzimet për karburante. Gjatë 2014 z.Krasniqi ka shpenzuar 9,883.40 euro. Pas tij radhitet ish – zëvendësministri i MPMS-së z. Fatmir Shurdhaj me 6,753.61 euro, ish – zëvendësministri i Ministrisë së Diasporës z. Nuredin Lushtaku me 6,575.14 euro, etj”.

“Tek këshilltarët politik, ish – këshilltari në Ministrin e Forcës  z. Hafir Kryeziu ka shpenzuar 6,400 euro. Pas tij radhitet ish – këshilltari në Ministrin për Komunitet dhe Kthim z. Milosh Stankovic me 5,414 euro, ish-këshilltari në Ministrin e Administratës Publike z. Skender Sallauka me 5,378.93 euro, etj”, thuhet në publikimin e institutit GAP.