Gjatë këtij viti, vriten 66 gazetarë

Reporterët pa Kufi kanë njoftuar se 66 gazetarë janë vrarë gjatë vitit 2014, teksa kanë qenë duke ushtruar profesionin e tyre.

Bota

16/12/2014 10:05

Numri i gazetarëve të vrarë këtë vit është 7 për qind më pak se në vitin e kaluar.

Por, organizata me Seli në Paris, ka bërë të ditur se prerja e kokës së gazetarëve në Siri, tregon për rrezikun që iu kanoset gazetarëve të cilët mbulojnë konfliktin.

“Zakonisht gazetarët nuk janë vrarë në një mënyrë kaq barbare dhe tronditëse për të gjithë botën”, thuhet në raportin e Reporterëve pa Kufi, që është botuar të martën.

Kidnapimi i gazetarëve këtë vit, sipas raportit, është rritur për 37 për qind, 33 nga 119 gazetarët e kidnapuar gjatë këtij viti, sipas raportit, janë kidnapuar në Ukrainë.

Në raportin e Reporterëve pa Kufi, thuhet se vendi më vdekjeprurës për gazetarët, gjatë këtij viti është Siria ku janë vrarë 15 gazetarë, e ndjekur nga territori palestinez ku janë vrarë 7 sosh, në Ukrainë janë vrarë 6 dhe në Irak 4 gazetarë.

Kina është vendi ku janë burgosur më së shumti gazetarë dhe atë 29 sosh.

Pas Kinës, me numrin më të madh të gazetarëve të arrestuar është Eritrea, ku janë burgosur 28 gazetarë dhe Irani, ku janë burgosur 19 gazetarë.

Rasti i gazetares hulumtuese të Radios Evropa e Lirë, Shërbimi i Azerbajxhanit, Khadia Ismailova, sipas raportit, është rasti më i madh i burgosjes së një pjesëtari të medies në Evropë.