Gjatë dy muajve të ardhshëm vendoset për aplikim në KE, Pacolli thotë se nuk është sfidë e lehtë

Qeveria e Kosovës ende nuk ka vendosur se kur do të aplikojë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pavarësisht se aplikimi ishte thënë se do të ndodh në muajt e parë të këtij viti.

Lajme

18/08/2018 12:04

Por, zyrtarë të qeverisë thonë se janë gati dhe se vendimi do të merret brenda dy muajve.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka thënë për lajmi.net se komisioni i përbërë nga MPJ dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë bërë raportin e tyre dhe se vendimi për aplikim do të merret brenda dy muajve të ardhshëm.

Për ministrin e Jashtëm anëtarësimi në KE nuk është një proces i lehtë.

“Jemi të përgatitur, komisioni i MPJ së bashku me përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë bërë raportin e tyre. Gjatë dy muajve të ardhshëm, qeveria dhe spektri tjetër politik në bazë të këtyre raporteve do të vendosin për momentin e aplikimit ne KE. Nuk eshte sfide e lehtë”, ka thënë Pacolli për lajmi.net.

Këshilli i Evropës është një prej organizatave më të rëndësishme në Evropë dhe Kosova është i vetmi vend nga rajoni që nuk është pjesë e tij.

Procesi i anëtarësimit në këtë mekanizëm është më shumë teknik dhe kërkon shumë reforma, sidomos në fushat e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut./Lajmi.net/