Gjashtëfishim i buxhetit për bujqësi në katër vitet e fundit

Qeveria e Kosovës nga viti 2010 e deri në buxhetin që është paraparë për vitin e ardhshëm e ka rritur buxhetin për bujqësi, nga 11 milion euro sa ishte atëherë në 60 milion për vitin 2015

Lajme

04/11/2014 16:07

Një kthim relativisht i madh i vëmendjes drejt sektorit të bujqësisë, bëri që buxheti i ndarë për këtë sektor të ishte temë e shpeshtë e diskutimit në këto vitet e fundit. Ky buxhet edhe pse në çdo vit kishte rritjen më të madhe, kritikohej si nga opozita, ashtu edhe nga grupet e interesit, sepse nevojat për investime ishin shumë më të mëdha.

Njëkohësisht me rritjen e buxhetit, duhet të rritet edhe kapaciteti absorbues i fermerëve, deklaronin ndërkohë zyrtarët e dikasterit qeveritar që udhëhiqte me këtë sektor, i cili tashmë si duket vërtet po bëhet top prioritet i Qeverisë.

Progresi i arritur këto vitet e fundit në bujqësi e ka determinuar si prioritet, sepse vetëm bujqësia shihet si shpëtimtare nga kolapsi ekonomik që mund ta përfshijë Kosovën si pasojë e mungesës së rritjes ekonomike, vlerësonin ekspertë vendore e ndërkombëtarë. 

Javë më parë edhe menaxheri i zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters, ishte shprehur skeptik për rritjen ekonomike në këtë vit. Madje, sipas tij, po të mos ishte rritja e zhvillimit të sektorit të bujqësisë, Kosova nuk do të mund të arrinte as 2% të rritjes ekonomike. 

Trajtimi i problemeve në këtë sektor, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë është bërë në mënyrë kronologjike dhe tek tash sektori dhe institucioni përkatës është në gjendje të absorboj dhe menaxhoj investime shumë më të mëdha tek fermerët, sepse i kanë krijuar të gjithë mekanizmat e nevojshëm për implementimin e planit të tyre afatgjatë. 

Këshilltari politik i ministrit të Bujqësisë, Adil Behramaj, tregon se në 2010-en e kanë gjetur Ministrinë e Bujqësisë me rreth 11 milionë euro buxhet, kurse duke iu referuar buxhetit të aprovuar për vitin 2015-të, thotë se kanë arritur ta bëjnë 60.3 milionë euro. 

“Ne tek tash po futemi në fazën e investimeve të mëdha, sepse fazat e deritashme kryesisht kanë pasur për qëllim përgatitjen e sektorit për t’i absorbuar këto investime dhe për të trasuar rrugën e zhvillimit të tij. Deri më tash është bërë edhe një kategorizim i fermerëve serioz. Në shumicën e sektorëve janë krijuar edhe regjistrat e fermerëve. Tani po bëhet edhe regjistrimi i përgjithshëm bujqësor dhe që nga viti i ardhshëm, gjasat janë që asnjë fermerë serioz të mos mbetet pa përkrahje qeveritare”, thotë Behramaj, njëherësh edhe zëdhënës i kësaj ministrie. 

Sipas tij, Ministrisë së Bujqësisë i është aprovuar rritja e premtuar, në rreth 60 milionë euro buxhet për vitin e ardhshëm. Ndërsa, rreth 60 milionë euro të tjera, ashtu siç edhe është premtuar, do të investohen përmes “Fondit të Punësimit” për çdo vit në sektorin e bujqësisë. 

“Pra, nëse deri më tash fermerët iu kanë nënshkruar një konkurrence të ashpër duke kërkuar grante në ministri për të investuar në bujqësi, prej vitit të ardhshëm do të ndryshojnë gjërat dhe ministria, si përmes programit të saj vjetor, ashtu edhe përmes rrjetit të shërbimeve këshillimore dhe grupeve të saj punuese, do të jetë në kërkim të të gjithë atyre fermerëve që kanë qëndrueshmëri dhe kanë potenciale për investime dhe gjasat janë shumë të vogla, që të mbetet dikush pa u përkrahur”, thotë ai. 

Ndryshe, për subvencionet dhe grantet investive të këtij viti, të cilat nuk janë ekzekutuar për shkak të moskonstituimit të Kuvendit dhe mosbërjes së rishikimit të buxhetit, Behramaj thotë se është duke u bërë rishikimi i shpenzimeve qeveritare dhe deri në fund të këtij viti do të bëhen transferet buxhetore dhe do të ekzekutohen të gjitha subvencionet e mbetura.