Gjashtë të arrestuar për posedim dhe shitje narkotikësh

Për posedim të paautorizuar dhe shitje narkotikësh, në krejt territorin e vendit në 24 orët e fundit në pranga kanë përfunduar gjashtë të dyshuar, njofton Policia e Kosovës

Lajme

31/05/2018 12:27

Në Prishtinë një burrë është arrestuar pasi është kapur në flagrancë duke shitur marihuanë, ndërsa një grua ka rënë në pranga pasi i janë gjetur në posedim 2.2 gramë të po të njëjtës substancë.

Dy burra tjerë kanë përfunduar në arrest po ashtu për posedim të rreth 3 gramëve marihuanë, njëri në rajonin e Gjilanit, ndërsa tjetri në atë të Ferizajt.

Ndërsa në Pejë, në kuadër të fushatës Stop drogës në shkolla në pranga ka rënë një i dyshuar për posedim të 4.5 gramëve marihuanë, ndërsa një tjetër pasi në shtëpi i është gjetur një sasi e kësaj substance narkotike.