Gjashtë sisteme paralele kundër Një shteti

Kosova si shtet sot përballet me gjashtë sisteme të organizimit paralel në politikë, në ekonomi, në drejtësi, në shoqëri. Të gjitha këto kërcënojnë qenien e këtij shteti.

Lajme

15/08/2014 12:20

Kosova si shtet, bashkëjeton me më së paku gjashtë sprova të funksionimit të sistemit paralel në politikë, në ekonomi, në rend dhe ligj, në shoqëri.

Një shtet i mirëfilltë, ndryshe, ka monopol të plotë në fushat e funksionimit të këtyre gjashtë organizimeve paralele të cilat po e dëmtojnë dhe po e dërrmojnë përditë e më shumë qenien e Republikës së Kosovës. Apo, thënë më troç, shteti i Kosovës do të duhej të kishte tërësisht në dorë ngjarjet dhe zhvillimet që përkojnë me këto sisteme paralele.

Në fakt, vetëm dy prej tyre janë të njohura dhe të pranuara ndër ne. Për katër të tjera, ose flitet me gjysmë zëri, ose nuk flitet fare.

Sistemi i parë paralel – në demontimin e të cilit po punohet tash e 16 muaj, është ai i shtetit të Serbisë në veri të Kosovës, por edhe në pjesët e tjera të vendit. Ekziston një Marrëveshje Bazë për këtë proces  (ajo e 19 prillit, 2013), por tashmë është bërë publike domosdoshmëria e arritjes së një Marrëveshjeje ndërkombëtarisht obligative  (Traktatit), për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili (normalizim) gjithsesi do të kompletohet me njohjen reciproke.

Ky sistem paralel, sa të ekziston, si i tillë, mëdyshë sovranitetin e shtetit të Kosovës.

Sistemi i dytë paralel – i cili njihet në Kosovë, klasifikohet si Ekonomia Gri. Dihet çka është kjo ekonomi, supozohen që përmasat e saj arrijnë tek qarkullimi i parasë në vlerë prej një miliardë Euro në vit, ndërsa luftimin dhe çrrënjosjen e saj e kanë në gojë të gjithë politikanët dhe të gjitha partitë. Deri tash, nuk është bërë gjë prej gjëje në këtë aspekt.

Ky sistem paralel, sa të ekziston, mëdyshë stabilitetin ekonomik dhe financiar në Kosovë.

Sistemi i tretë paralel – për të cilin flitet pak dhe dihet edhe më pak, përkon me funksionimin e ekonomisë formale në Kosovë, apo, me vendimmarrjen e monopolizuar, me qendër në institucionet e shtetit, për funksionimin e ekonomisë së tregut. Qeveria në Kosovë nuk është vetëm punëdhënësi më i madh, me gati 90 mijë të punësuar në sektorin publik, por në fakt, është ndërmarrja më e madhe ekonomike dhe tregtare në vend. Diçka e tillë është në kundërshti me logjikën e ekzistimit të ekonomisë së tregut, në një shtet demokratik.

Ky sistem i vendimmarrjes paralele, sa të ekziston, ngulfatë në realitet mundësinë e funksionimit të ekonomisë së tregut në Kosovë.

Sistemi i katër paralel – për shumëkë nuk ka përmasat e kërcënimit real në Kosovë, por në këto çështje, ose shteti ka monopol të plotë, ose sprova si e tillë është e rrezikshme, dhe ka pasoja të cilat janë lehtë të matshme. Në Kosovë vazhdon të mbijetojë Kanuni, siç është kuptuar disa herë gjatë këtij viti, madje, me viktima të moshës jomadhore. Nuk mund të ketë sundim të ligjit, në kuptimin e plotë të fjalës, nëse Kanuni vazhdon të jetë një drejtësi paralele, e ushtruar me vullnetin e individit, i cili në këtë mënyrë, kundërshton organizimin e drejtësisë në një shtet.

Ky sistem paralel i drejtësisë, i trashëguar prej të kaluarës, konteston Sundimin e Ligjit në një shtet.

Sistemi i pestë paralel – ka të bëjë me një element shumë të veçantë, shumë të rëndësishëm të organizimit të një shoqërie, e cila në rastin e Kosovës njeh edhe shumëllojshmërinë, e cila së paku deri së voni, nuk është parë si problem për kohezionin e shoqërisë kosovare. Pra, kemi të bëjmë me religjionet në Kosovë, të cilat asnjëherë në të kaluarën nuk janë imponuar si agjenda politike, apo si burime të organizimit politik dhe nacional. Në rastin e shqiptarëve, jo vetëm në Kosovë, kur dihet karakteri shumëfetar i shqiptarëve, toleranca fetare ka qenë një tipar shumë cilësor, i cili ka mundësuar mbijetesën e shoqërisë shqiptare, dhe organizimin e saj në projektet madhore politike.

Tash e sa vjet, kemi edhe këtu, në këtë fushë, organizimin paralel fetar, i cili gjithsesi ka edhe komponentën agresive politike, si dhe atë të kërcënimit për sigurinë kombëtare.

Ky sistem paralel dobëson kohezionin shoqëror në Kosovë dhe shërben si kontestues i orientimit strategjik të Kosovës kah Evropa dhe kah Perëndimi.

Më në fund, kemi një sistem paralel politik, i cili mëdyshë, me themel, ekzistimin e vetë shtetit të Kosovës. Edhe pse ky kontestim, në masë të madhe, bëhet me mjete politike, nuk ka dilema që kundërshtimi i shtetit të Kosovës si të tillë, ende pa u siguruar qëndrueshmëria afatgjatë ndërkombëtare e Kosovës, ka pasoja të dëmshme për Kosovën.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)