Gjakovari fshehu drogën në të brendshme: E kisha për përdorim personal

Leon Elezi, i akuzuar për blerje dhe shitje të substancave narkotike, nuk e ka pranuar veprën penale para Gjykatës së Gjakovës.

Lajme

22/01/2019 16:35

“Deklarohem i pafajshëm, sepse substancat narkotike i kam pasur për përdorim personal dhe kërkoj nga gjykata që të më caktoj një avokat”, tha i akuzuari Elezi.

Elezi akuzohet nga Prokuroria se në tetor të vitit të kaluar ka poseduar narkotikë të llojit marihuanë në peshë prej 9.31 gram, raporton kallxo.com.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Agron Matjani, i akuzuari Elezi nuk e pranoi fajësinë, ndërsa gjyqtari Shaqir Zika caktoi muajin shkurt për mbajtjen e seancës së dytë.

Leon Elezi, po ngarkohet me akuzën e blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të substancave narkotike.

Sipas aktakuzës, Leon Elezi ishte ndaluar me makinë nga personat zyrtarë, dhe të njëjtit i janë gjetur katër qese najloni të mbushura me marihuanë.

Aktakuza shpjegon se këto qese i kishte fshehur në të brendshme në pjesën e pasme të prapanicës, të cilat janë sekuestruar nga personat zyrtar.