Gjakova po zhvillohen projekte të rëndësishme për Bujqësinë

Komuna e Gjakovës në kuadër të skemës së investimeve kapitale është duke zbatuar dy projekte të cilat janë në fazën e punimeve intensive.

Lajme

03/07/2015 16:20

Sipas një njoftimi të Komunës së Gjakovës, projektet në zbatim janë penda e ujitjes në fshatin Skivjan, dhe ndërtimi dhe funksionalizimi i qendrës grumbulluese të qumështit në fshatin Lipovec.

“Në kuadër të aktiviteteve të këtij projekti është duke u ndërtuar objekti i kësaj qendre si dhe janë siguruar pajisjet për punë (Laktofrizi (1100 litra), pompa e qumështit (5000l/h), gypat e qumështit (20m), aparati për analizat e qumështit (laktoscan), epruvetat për analiza), etj. “, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, Drejtoria për Bujqësi Pylltari dhe Zhvillim Rural në bashkëpunim me qendrën grumbulluese të qumështit në fshatin Bec ka siguruar aftësimin (trajnimin) dy javor të dy punëtorëve të cilët do të menaxhojnë qendrën grumbulluese të qumështit në fshatin Lipovec.