Gjakova me shkollë për pilot

Gjatë vizitës në Gjakovë, Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se me ndërtimin e shkollës së pilotëve, kësaj Komune do t’i shtohen vendet e reja të punës.

Lajme

18/04/2014 19:56

Kryeministri Hashim Thaçi sot ka vizituar Komunën e Gjakovës dhe ka paralajmëruar ndërtimin e shkollës së parë për pilot, një shkollë private që do të krijohet në kuadër të aviacionit civil dhe do të përdoret për nevoja të skuadrës së helikopterëve të Policisë dhe FAK-ut.

Ai këto premtime i bëri teksa vizitoi Aeroportin ushtarak të Gjakovës, ku ishte i shoqëruar nga Kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari-Lila dhe Ministrat Besim Beqaj dhe Bernard Nikaj.

“Është koha për projekte të mëdha dhe ambicioze në Kosovë”.

“Sot e vizitova Gjakovën, ku ne do ta ndërtojmë shkollën e parë të pilotëve në Kosovë. Kjo shkollë do t’i sjellë Gjakovës shumë vende të punës dhe do të ua mundësojë të rinjve kosovarë të bëhen pilotë”.

“Shkolla e pilotëve që do ta hapim, do të krijon kuadro për aviacion civil, aviacion të emergjencave si dhe do të përdoret për nevoja të skuadrës së helikopterëve të Policisë dhe Forcave të Armatosura të Kosovës”.

“Në misionin tonë të ri, ne do të krijojmë sektorë krejtësisht të rinj të punësimit në këtë vend”,

“Aeroporti i Gjakovës është ndërtuar nga Italia dhe NATO, por tani do të shndërrohet në aeroport sekondar për nevoja të transportit ajror”.

“Pas 100 milionë euro investimesh në Aeroportin \”Adem Jashari\” në Prishtinë, që është më i miri në Ballkan, tani do të zgjerohemi në biznesin e aviacionit. A e dini që Kosova ka më së shumti pasagjerë për kokë banori në rajon?”,  ka shkruar Kryeministri Hashim Thaçi në Facebook.