Gjakmarrja e ngujimi, flenë ende në Shqipëri

Shqipëria ka ende me dhjetëra familje të cilët qëndrojë të ngujuara brenda shtëpive të tyre për shkak të mosrrezikimit të jetës nga gjakmarrja. Strukturat shtetërore në 20 vjetët e fundit, kanë provuar të ndërmarrin diçka por, gjithnjë kanë mbetur pa rezultat.

Lajme

04/02/2014 21:36

Dhjetëra familje në Veri të Shqipërisë vazhdojnë të qëndrojnë të ngujuara brenda shtëpive të tyre  për shkak të rrezikimit të jetës nga gjakmarrja. Mes të ngujuarve ka edhe një numër jo të vogël fëmijësh, të cilët nuk mund të ndjekin edhe shkollën.

Gjatë 20 viteve të fundit, strukturat shtetërore kanë ndërmarrë herë pas here nisma të ndryshme, por pa mundur të ndalojnë këtë plagë të rëndë të shoqërisë shqiptare.

Maria, 17 vjeçare, është vajza e vrarë rreth 2 vjet më parë së bashku me gjyshin e saj në Dukagjin. Qysh atëherë, pjesëtarët e kësaj familje vazhdojnë jetën të ngujuar në shtëpi.

Tragjedia nisi në vitin 2010 pas një vrasje për të cilën u fajësua familja Qukaj. Një vit më pas ajo u shoqërua me vrasjen e Marias dhe gjyshit të saj, ngjarje kjo e ndodhur në fshatin Kier të Dukagjinit. Nëna e Marias, Shaqe Qukaj thotë se nuk kanë dijeni për autorët e vrasjes ndaj ata janë të detyruar të ngujohen nga frika e gjakmarrjes.

“E kaloj me mërzi, me probleme, me frikë. Një vajzë 17 vjeçare të vritet për gjakmarrje është shumë e rëndë. Është vrarë dhe as që nuk e dimë kush e ka vrarë. Është vrarë me gjyshin e vet, ajo ka dalë në Dukagjin për 10 ditë dhe duke prashitur në arë me gjithë gjyshin e kanë vrarë”.

“Atë ditë e sot, ne nuk dimë gjë se çfarë ka ndodhur veçse na kanë sjellë të vdekurit në shtëpi”.

Nëna e Marias 17 vjeçare ka edhe katër fëmijë të tjerë për të cilët ajo thotë se ndjehet e frikësuar pasi jeta e tyre rrezikohet çdo ditë.

“Unë e kam vajzën në shkollë por nuk e çoj se kam frikë. Sepse, kur ta vrasin një 17 vjeçare, edhe kjo afër është”.

Mbi të gjitha, apeli kësaj familje për t’u ndalur gjakmarrja në gjithë Shqipërinë dhe apeli i familjeve të tjera që vuajnë plagën e ngujimit, i drejtohet institucioneve shtetërore.

Ndonëse gjatë 20 vjetëve të fundit, institucionet më të rëndësishme në Shqipëri kanë ndërmarrë herë pas here nisma për ndalimin e fenomenit të gjakmarrjes dhe atij të ngujimit por, rezultatet kanë qenë thuajse të pa përfillshme.

Ndërkohë që OJQ’të, komunitetet fetare, dhe opinion shoqëror vazhdojnë të apelojnë kundër kësaj plage të vjetër të shoqërisë shqiptare, por pa mundur ta ndalojnë atë.

(Zëri i Amerikës)