Gjak i Ri

Qendra e re Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut, e përuruar sot, është me lokacion të ri afër Klinikës së Pediatrisë në QKUK dhe në ngritjen e saj, MSH ka investuar rreth 500 mijë euro.

Lajme

12/02/2014 13:26

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Ferid Agani dhe Drejtori i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut të Kosovës (QKKTGJ), Hysen Sadriu përuruan sot objektin e ri të kësaj qendre, investim i Ministrisë së Shëndetësisë.

Ky objekt i ri është realizuar sipas parametrave bashkëkohor të Mjekësisë Transfuzive, posedon një hapësirë të mjaftueshme duke mundësuar kushte shumë të mira për ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në vend nga kjo fushë.

Ministri Agani përgëzoi personelin e QKKTGJ me rastin e inaugurimit të kësaj qendre dhe tha se me këtë rast, po shënohet një e arritur në shëndetësinë kosovare në prag të 6 vjetorit të pavarësisë së vendit.

“Qendra e re Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut paraqet një hap konkret në përmirësimin e kushteve të punës dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore”, theksoi Ministri Agani, duke shtuar se përzgjedhja për akreditim i kësaj qendre nga Parlamenti Europian paraqet një hap të rëndësishëm në fuqizimin e shërbimeve nga mjekësia transfuzive dhe shëndetësinë kosovare në përgjithësi.

 

Drejtori i QKKTGJ, dr. Hysen Sadriu tha se nga sot kjo qendër do të ketë në dispozicion një infrastrukturë bashkëkohore, me ndihmën e Ministrisë dhe se kjo do të ndikojë edhe ne ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore të Mjekësisë Transfuzive.

“Sukseset nuk kanë munguar, ndërsa tash e tutje me përkrahjen e MSh-së dhe të dhuruesve vullnetar të gjakut që për ne janë heronj të paqes, shërbimet që do t’i ofrojë Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut do të jenë edhe më cilësore”, theksoi Sadriu.

Qendra e re Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut është me lokacion të ri afër Klinikës së Pediatrisë në QKUK dhe në ngritjen e saj, MSH ka investuar rreth 500 mijë euro.