Giggs, trajner i përkohshëm i United

Ryan Giggs është emëruar trajner i përkohshëm i Manchester Unitedit, pas shkarkimit të David Moyesit. Uellsiani do t’i udhëheq ‘Djajtë e Kuq’ së paku deri në fund të sezonit.

Sport

22/04/2014 12:32

Ryan Giggs do ta marrë në dorë Manchester Unitedin deri në fund të sezonit. Uellsiani do ta zëvendësojë trajnerin e shkarkuar David Moyes, i cili i dha fund eksperiencës në Old Trafford pas vetëm nëntë muajsh.

Lajmin për emërimin e Giggsit e ka konfirmuar uebfaqja zyrtare e ‘Djajve të Kuq’, ManUtd.com, e cila njofton se uellsiani, deri sot futbollist, do ta drejtojë ekipin së paku deri në fund të sezonit.

Ndërkaq, gjatë verës gjiganti britanik sipas të gjitha gjasave do ta emërojë një trajner të ri.

Louis van Gaal momentalisht është favorit për këtë pozitë, por përmendet edhe emri i Jurgen Klopp, si kandidat i mundshëm për ta pasuar Moyesin.

Ish menaxheri i Evertonit shihej si pasardhës ideal i Sir Alex Fergusonit, por eksperienca e tij me United ishte një dizastër i vërtetë.