Giggs nuk do të mbetet menaxher i Man Utd

Mesfushori veteran Ryan Giggs nuk është kandidat për postin e menaxherit të Manchester Unitedit, edhe pse u emërua përkohësisht në detyrë pas shkarkimit të David Moyesit.

Sport

22/04/2014 22:51

Ryan Giggs nuk është nën konsideratë për postin e menaxherit të Manchester Unitedit, derisa klubi ka filluar kërkimin për pasardhësin e David Moyesit.

Giggs, 40-vjeç është emëruar në detyrë në bazë të përkohshme pas shkarkimit të Moyesit në mëngjesin e sotëm pas vetëm 10 muajsh në detyrë.

Por, klubi nga Old Trafford mendon se skuadra ka nevojë të udhëhiqet nga një trajner me përvojë, pas dështimit të madh këtë edicion, raporton BBC Sport.

Gary Lineker mendon se United është ‘në krizë’ pas sezonit më të dobët nga epoka e Premierligës.

“Ata nuk janë kualifikuar në Ligën e Kampionëve dhe janë në situatë më të vështirë se 12 muaj më parë”, deklaroi prezantuesi i BBC Match of the Day, ish kapiten i Anglisë.

“Ata kanë humbur menaxherin. Kësaj radhe nuk e dinë nëse do të jenë fare në edicionin e ardhshëm të futbollit evropian”, shtoi ai.