Giggs i falënderon tifozët

Ryan Giggs iu falënderua tifozëve në Old Trafford pas fitores së Manchester Unitedit ndaj Hull Cityt, në duelin e fundit në shtëpi këtë sezon. Ai tha se kohët e mira do të rikthehen shpejtë.

Sport

06/05/2014 23:57

Menaxheri i përkohshëm i Manchester Unitedit, njëkohësisht futbollist i gjigantit anglez, ka falënderuar tifozët, pas fitores me rezultat 3:1 ndaj Hull Cityt që ishte ndeshja e tij e fundit si lojtar në Old Trafford, por edhe e qendërmbrojtësit Nemanja Vidiç.

E, ndoshta edhe ndokujt tjetër që mund të largohet në verë.

“Dua t’ju falënderoj të gjithëve nga të gjithë futbollistët dhe stafi, për përkrahjen tuaj këtë vit. Një falënderim i veçantë për Nemanjan, i cili do të largohet këtë vit. Atij i urojmë çdo të mirë dhe sukses në vitet e ardhshme”, deklaroi Giggs pas ndeshjes.

“E dimë se ka qenë vështirë këtë sezon dhe me kalimin e viteve ne jemi lazdruar nga suksesi që kemi kaluar, por ju gjithmonë na keni përkrahur, ju gjithmonë keni shikuar drejt së ardhmes. Ne gjithmonë luajmë futboll atraktiv, vazhdoni të na përkrahni, kohët e mira do të rikthehen shpejtë”, u shpreh ai.