Gëzim Kelmendit nuk i pëlqen përkujtimi i Thaçit për Skënderbeun

Deputeti Gëzim Kelmendi nga Partia Fjala, ka reaguar ndaj përkujtimit të presidentit Hashim Thaçi, për përvjetorin e vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu

Lajme

17/01/2017 23:15

Thaçi tha se “Heroi ynë kombëtar ishte i pari që realizoi një bashkim politik të shqiptarëve në Besëlidhjen e Lezhës dhe për çerek shekulli ndali perandorinë më të fuqishme të kohës që të depërtonte në zemër të Evropës”.

Kjo nuk i ka pëlqyer fare deputetit Kelmendi, i cili e ka konsideruar postimin e Thaçit si goditje për Erdoganin dhe Turqinë.

Reagimi i plotë i Kelmendit:

I nderuar President Thaçi,

Sot paskeni uruar ditëlindjen e Skënderbeut.

Ajo çka më bëri përshtypje në urimin e juaj është fakti se perandorinë osmane e cilësoni pushtuese.

Është e drejtë edhe e juaja edhe e imja të kemi mendime të ndryshme për perandorinë osmane.

Ju, para disa ditëve ishit në vizitë zyrtare te Presidenti i Republikës së Turqisë Erdogan, ku u pritet me nderimet më të larta shtetërore.

Presidenti Erdogan ka bërë dhe vazhdon të bëj shumë për Kosovën, dhe ky epitet që sot ja dhatë perandorisë osmane, duke e quajtur pushtuese, ju e goditët keq Erdoganin, e goditët keq Turqinë dhe gjithë ata shqiptarë që perandorinë osmane nuk e cilësojnë pushtuese.

Mos harroni se ju jeni President i Kosovës, dhe deklarat e tilla nuk i bëjnë mirë raporteve Kosovë -Turqi.

Ditë më parë ju ishit ndër ata që urdhëruat kthimin e trenit rus mbrapa në serbi ( për hirë të korrektësisë, ju kam cituar si një ndër meritorët).

Por, çka nëse serbia nuk ndalet me kaq?

A do të mundesh të kërkosh ndihmë nga Turqia nëse Serbia kërcënon ushtarakisht Kosovën?

Deri me tani përveç investimit turk në Kosovë mbi 350 milion dollarë, Turqia ka dhuruar autoblinda policore-ushtarake, është duke investuar në shkollimin e pilotëve, policëve dhe oficerëve tanë në vendin e saj.

Është ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës, dhe vazhdon të loboj për pavarësinë e Kosovës.

Nëse i referohemi termit të juaj ” pushtues” për perandorinë osmane, mos harro se pjesë përbërëse e kësaj perandorie osmane kanë qenë shumë shqiptarë, dhe sipas jush ne i kemi vetpushtuar trevat tona.

Unë dhe shumë qytetarë të Kosovës e dijmë mirë pse e ke uruar ditëlindjen e Skënderbeut, pse po përkulesh para varrezave serbe ku shkruan se janë të vrarë nga “terroristët shqiptarë”.

Por nuk të ka hije, je President i një vendi për të cilin është derdh shumë gjak, dhe mos e shkatërro këtë vend për interesa përsonale.

Gëzim Kelmendi