Gërryerja e demokracisë

A po funksionon demokracia në dy shoqëritë tona, në Kosovë dhe në Shqipëri? Kjo pyetje duket që po merr përgjigje gjithnjë e më problematike.

Opinion

26/05/2016 13:48

Si na shohin të tjerët?

Kjo pyetje, e cila realisht, do të duhej të ishte e vazhdueshme ndër ne, në politikën dhe në shoqërinë kosovare, u shfaq zhurmshëm dhe me ngarkesë të madhe emocionale, pas botimit të një shkrimi në të përditshmen e njohur amerikane, “The New York Times”, i cili përshkruante një ndryshim tej mase problematik të shoqërisë kosovare.

Ky ndryshim  i bëri vend radikalizmit fetar në Kosovë.

Nuk jemi të tillë. Po, kemi telashe të këtij lloji, por në ndërkohë, kemi ndërmarrë veprimet e duhura. Gjërat kanë ndryshuar këndejpari, për të mirë. Kjo duhet të vërehet nga të tjerët, veçmas nga miqtë tonë.

Këto pak fjali, me gjasë, janë një rekapitullim i saktë i reagimeve mbizotëruese ndër ne karshi këtij shkrimi, megjithëse e dimë, gati të gjithë, që ende nuk e kemi guximin dhe gatishmërinë e duhur që të përballemi me veten, me sytë objektiv, me një qasje gjithsesi kritike ndaj gabimeve dhe të metave që i kemi si shoqëri, si vend.

Tema me të cilën u mor gazeta amerikane është vetëm njëra prej atyre që do të duhej të na preokuponte të gjithë neve. Por ka edhe shumë të tjera, të cilat në tërësinë e tyre bëjnë atë pamjen e përgjithshme të një vendi  (atë imazhin vendor dhe ndërkombëtar), që reflekton kualitetin politik, ekonomik, social, kulturor, qytetërues, tek e mbrama.

Sikur ta kishim atë guximin e munguar, si këtu në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, për shembull, si do të përgjigjeshim në pyetjen që do t’ia bënim vetes: A po funksionon demokracia në këto dy shoqëritë tona, në Kosovë dhe në Shqipëri?

Në shikim të parë, kjo pyetje duket e kotë, apo e tepërt. Përkundër të gjitha të metave që i kemi si shoqëri në këto dy shtete, megjithatë, Kosova dhe Shqipëria nuk kanë si të mos klasifikohen si vende demokratike. Por pastaj mjafton që t’i trajtojmë disa tema që i bëjnë kryelajmet në Kosovë dhe në Shqipëri, tash e disa javë, për të mbërrite tek konkludimi që ‘diçka është e kalbur’ në këto dy shoqëri, në skenat politike të këtyre dy shteteve, kur bëhet fjalë për funksionimin e demokracisë. Demokracia, nuk nënkupton vetëm mënyrën se si ndodhë zgjedhja e qeverisë, e udhëheqësish së një vendi, apo, krijimin e rrethanave kur vullneti i shumicës së qytetarëve reflektohet në përbërjen e pushtetit ligjvënës dhe ekzekutiv. Demokracia ka si detyrë të veten edhe mirëmbajtjen e vlerave që i ka një shoqëri  (e të cilat, në një segment shumë të rëndësishëm na dalin të rrezikuara, siç na konfirmon edhe shkrimi në “The New York Times”), dhe gjithsesi, forcimin e mekanizmave që duhet të jenë në funksion kur merren vendimet shumë të rëndësishme politike dhe shoqërore, të cilat janë largvajtëse, për sa i përket peshës dhe rëndësisë që kanë për një vend.

Ky segment shumë i rëndësishëm i demokracisë, na del si jofunksional, edhe këtu, edhe në Shqipëri, veçmas kohëve të fundit, kur adresohen tema të cilat do të duhej t’i bashkonin politikanët dhe qytetarët, duke nisë këtu me atë për shënjimin e kufirit shtetëror të Kosovës me Malin e Zi, atë për blerjen e autobusëve për komunën e Prishtinës, tjetrën për ndërtimin e stadiumit të futbollit në Shqipëri, atë për Reformën e drejtësisë, sërish në Shqipëri. Ka edhe shumë tema të këtij lloji.

Në të katër këto tema, edhe pse dikush mund të thotë që relevanca e tyre dallon shumë, apo që autobusët dhe stadiumi i futbollit nuk kanë si të krahasohen  (për nga rëndësia), me kufijtë shtetëror dhe me ndryshimin thelbësor të sistemit të drejtësisë, nëse shohim veten pak me sytë e të tjerëve, nuk kemi si të mos flasim keq për veten, apo, si të mos konstatojmë që nuk po jemi në gjendje të ulemi e të merremi vesh për çështjet që janë të rëndësishme për Kosovën dhe për Shqipërinë, për të ardhmen e këtyre dy vendeve.

Edhe këtupari edhe andej, vërehet një mungesë totale e komunikimit normal midis politikanëve, një deficit i skajshëm i besimit të ndërsjellë, i gatishmërisë për tu kuptuar dhe për tu ndihmuar në gjetjen e zgjidhjeve për problemet të cilat po na gërryejnë përbrenda.

Në te dy këto demokracitë tona, kështu si janë, në fund po duhet të ndodhë ndërhyrja e drejtpërdrejtë prej diplomacisë perëndimore, për t’i kryer punët tona, të cilat në radhë të parë, janë detyrim që kemi ndaj qytetarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Zatën, shpeshherë diplomatët perëndimorë po bëhen ‘zëdhënës’ të qytetarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë. (Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)