Gerrard pret shumë nga Grezda

Eros Grezda ka dalë në konferencën për shtyp të ditës së sotme së bashku me trajnerin Stiven Xherard ku kanë folur për sfidën e ditës së nesërme ndaj Dundes në shtëpi.

Sport

14/09/2018 23:45

Nuk munguan vlerësimet nga trajneri i Rejnxhersit për futbollistin gjakovar. Xherard e cilesoi atë si një lojtar emocionues që do të ekzaltojë tifozët.

“Ndërprerja e kombëtareve na ka dhënë kohë për të marrë frymë dhe për t’u çlodhur pas një kalendari vërtetë plot tension. Grezda besoj se do të jetë në 18 lojtarët e grumbulluar për nesër, por nuk e di se sa do të luajë. Këtë gjë do e vendos në orët e ardhshme. Ai u operua vetëm në qershor dhe kërkon kohë të jetë në 100%.

grezda dhe Xherard

Grezda është në 70-80 % të formës, kështu që ai do të jetë i gatshëm dhe mund të përfshihet në ndeshjen e nesërme. Ka bërë progres kohët e fundit. Është një lojtar premtues që do të bëjë për vete tifozët. Ne duam të gjejmë një plan që t’i përshtatet të gjithë lojtarëve tanë. Jam i kënaqur për klubin, me përkrahjen e tifozëve mund të ecim përpara”, u shpreh Xherard.

Ndërkohë, për shkak edhe të emocioneve, në daljen e tij të parë, mesfushori i Kombëtares ka hasur pengesë për sa i përket të shprehurit në gjuhën angleze. Këtë gjë Grezda e ka pohuar edhe nëpërmjet një “Story” në “Instagram”.

Grezda Rejxher

““Po bëhen dy javë që jam këtu dhe jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. I gjithë stafi është shumë profesionist dhe unë po punoj shumë mirë me ta. Më pëlqejnë shokët e ekipit dhe kënaqem duke luajtur me ta. Siç e thashë, jam shumë i lumtur që ndodhem në këtë ekip.Të gjithë më kanë ndihmuar.

Kur erdha këtu fillova të bisedoja dhe t’i pyesja për të mësuar gjithçka, sepse është një diferencë e madhe për mua të vij nga futbolli europian në futbollin britanik. Shokët më kanë ndihmuar në ditët e para, tani po përshtatem dhe gjithçka është ok. Nuk jam akoma gati, por po punoj shumë për t’u rikthyer. Stafi vendos, por nëse do të luaj nesër, do të jap maksimumin tim dhe do bëj detyrën time”, u shpreh Grezda në konferencën për shtyp.