Gërmime të reja në Batajnicë

Kanë nisur gërmime të reja në lokalitetin Batajnicë, të Aeroporti i Beogradit, afër varrezës masive. Supozohet se përveç 900 trupave të shqiptarëve të gjetur kohë më parë, në këtë varrezë mund të ketë të varrosur edhe më shumë trupa.  

Lajme

30/09/2014 14:58

Prokuroria e Serbisë për krime lufte ka nxjerrë urdhëresën për hulumtime të reja në një lokalitet në Batajnicë të Serbisë, në afërsi të varrezës masive, në të cilën më herët ishin gjetur 900 trupa të shqiptarëve të Kosovës, të varrosur në grup.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Bruno Vekariq, zëvendës prokurori për krime lufte i Serbisë.

Ai ka theksuar se pas disa hetimeve, komunikimit me dëshmitarë, si dhe me misionin evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, është arritur te supozimet se mund të gjenden edhe disa mbetje mortore në Batajnicë, në afërsi të varrezës masive, ku ishte gërmuar më parë.

“Kjo është saktësisht afër lokalitetit ku janë bërë gërmimet dhe ku më herët janë gjetur 900 trupa. Kjo është konkretisht në vendin ku ka qenë tenda për obduksion, në momentin kur bëheshin gërmimet e kaluara. Kështu që, ajo pjesë nuk ka qenë e përfshirë atëherë në hulumtime dhe tash këtë do ta verifikojmë”, ka thënë Vekariq.

Zëvendës prokurori për krime lufte i Serbisë, ka shtuar se urdhri i prokurorisë është veprimi i parë dhe më pas, kjo çështje do të kaloj edhe te Grupi i përbashkët për të pagjeturit, i cili përbëhet nga delegacionet e Serbisë dhe Kosovës. Punimet në Batajnicë, siç ka thënë Vekariq, do të nisin varësisht nga rrethanat dhe atëherë kur të sigurohen makineritë për një gjë të tillë.

Ndryshe, deklaratat e zëvendës prokurori për krime lufte të Serbisë, vijnë tre ditë pasi që drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu, i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se varreza në Rudnicë të Rashkës, ku së fundmi janë bërë gërmimet, nuk është varreza e fundit masive në Serbi.

Në anën tjetër, Prenk Gjetaj, drejtues i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur thotë për Radion Evropa e Lirë se ky komision ka pasur idenë për të kërkuar rivlerësime në lokacionin e Batajnicës, për shkak se, sipas tij, nuk ishte hulumtuar dhe verifikuar i gjithë terreni i dyshuar.

Ai e ka vlerësuar si pozitive nismën e prokurorisë serbe për krime lufte, e cila ka dhënë urdhëresën për një hetim shtesë në Batajnicë.

“Ne e kemi pasur në plan për të kërkuar një rivlerësim. Megjithatë, pa marrë parasysh, është për tu përshëndetur një kërkesë për një rivlerësim ose një verifikim, sepse njerëzit mungojnë dhe ata diku janë. Mbase autoritetet serbe e dinë ku janë dhe ku gjenden varrezat masive. Sigurisht se prokurori Vukçeviq ka marrë një vendim në bazë të ndonjë informacioni me të cilin disponon, sepse është më afër mundësisë dhe burimit të informatave”, tha Gjetaj.

Gjetaj po ashtu pa shtuar se ekzistojnë dyshime edhe për varreza tjera masive në Serbi.

Vekariq, në anën tjetër, nuk e ka hedhur poshtë mundësinë e ekzistimit të varrezave të tjera masive në Serbi, për të cilat, sipas tij, po kontrollohen dhe përpunohen informacionet dhe dyshimet. (REL)