Georgievski: Nuk ka qeveri pa shqiptarët

Lideri i VMRO-Popullore, Ljubco Georgievski, ka kritikuar retorikën e liderit të VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski, duke thënë se “Maqedonia nuk mund të ketë qeveri pa shqiptarët”.

Lajme

26/03/2014 15:50

Georgievski ka thënë se një tezë e tillë e kryeministrit Gruevski është e rrezikshme dhe paraqet një kurth për elektoratin maqedonas.

Ai madje u shpreh i prerë se edhe sikur VMRO-DPMNE të fitoj 100 deputetë, nuk mund të formoj qeveri pa shqiptarët, sepse sipas tij, Maqedonia duhet të vazhdojë të jetojë edhe pas zgjedhjeve.

“Vlerësoj se kjo është një retorikë e rrezikshme. Në rast se jo e rrezikshme, atëherë do të mund ta quajmë si komike, naive. Dikush që ka praktikë 20 vjeçare të qeverive multietnike sot të bëj fjalë për qeveri të pastra maqedonase,  kjo thjeshtë  është absurde, totalisht  joreale”, ka deklaruar Georgievski, raporton INA.