Gënjeshtra e Qeverisë për pjesëmarrjen në Komisionin e Venedikut

Qeveria e Kosovës, pasdite ka lëshuar një lajm të rremë në lidhje me pjesëmarrjen e një grupi zyrtarësh nga Kosova në Konferencën e Venedikut.

Lajme

22/06/2018 20:30

Në njoftimin zyrtar thuhet se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit në Komisionin e Venedikut që nga viti 2014, për herë të parë një delegacion zyrtar i Kosovës merr pjesë në sesionin plenar të 115-të të Komisionit të Venedikut.

I gjithë ky “sukses” i atribuohet kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili, siç thuhet i ka dërguar letër Komisionit të Venedikut.

Por e vërteta është ndryshe!

Kosova ka qenë e përfaqësuar prej vitesh në Komisionin e Venedikut nga ish- kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, kështu që nuk qëndrojnë pohimet për pjesëmarrje për herë të parë.

Hasani ka marrë pjesë në sesionet e këtij komisioni edhe pasi e ka përfunduar mandatin në Gjykatën Kushtetuese.

Pjesëmarrja e fundit e tij në punimet e Komisionit të Venedikut pretendohet të ketë qenë në qershor të vitit të kaluar kur në sesionin 111 të këtij komisioni është diskutuar për Ligjin mbi Gjykatën Kushtetuese të Polonisë; Ligjin mbi Gjykatën Kushtetuese të Armenisë; Ligjin mbi Ombudspersonin e Armenisë; për Amicus Curiae të Bosnje-Hercegovinës për mënyrën e zgjedhjes për Dhomën e Popujve të Bosnje-Hercegovinë; si dhe për Opinionin e Komisionit për amendamentet në Kushtetutës së Turqisë për vendosjen me referendum për ndryshimin e sistemit qeverisës në këtë vend.

Prania e Hasanit të këtë Komision, siç shkruan AktivPress, i kishte penguar zëvendëskryeministrit, Behgjet Pacolli, i cili i kishte kërkuar zyrtarisht kryeministrit Haradinaj, zëvendësimin e tij me dikë tjetër.

Si pretekst, Pacolli kishte marrë një Aktgjykim të shpallur nga Gjykata Themelore e Prishtinës, ku Hasani, ishte dënuar me një vit burgim me kusht për veprën penale Mashtrim në detyrë.

“Pas konsultimit edhe me një grup profesorësh të së drejtës vendore dhe ndërkombëtare, ministri Pacolli konsideron se mbajtja akoma në këtë rol përfaqësues me profil të lartë të një individi me këtë rekord njollosës dënimi cenon rëndë imazhin e Kosovës, pasi që supozohet se institucioni prestigjioz ndërkombëtar, ku ai na përfaqëson, është informuar për dënimin e, z. Enver Hasanit, nga drejtësia vendore. Në këto kushte, ai vetë do duhet të japë dorëheqjen”, kishte thënë Pacolli, muaj më parë.

Kësaj radhe, delegacioni i Republikës së Kosovës që do të marrë pjesë në punimet e Komisionit të Venedikut, përbëhet nga Mentor Borovci, drejtor i Zyrës Ligjore në Zyrën e Kryeministrit, Jahja Lluka, këshilltar i Kryeministrit të Kosovës dhe Arben Krasniqi, drejtor i Sekretariatit Koordinues të Qeverisë.

Në këtë sesion do të diskutohet për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Financimin e Entiteteve Politike dhe Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.