Gecaj, Thaçit e Haradinajt: Jeni një hiç krahasuar me miqtë e Republikës

.

Lajme

12/10/2017 16:41

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Bajram Gecaj i cili ka qenë edhe këshilltar i ish-kryeministri Mustafa, ka hedhur kritika të ashpra ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ai duke komentuar deklaratë e tyre për vizat dhe Gjykatën Speciale, ka thënë se paskrupullsia e pushtetarëve të tanishëm duket se nuk ka kufi.

Gecaj me anë të një postimi në facebook duke ju drejtuar Thaçit e Haradinajt, është shprehur “Zotërinj pushtetarë, është mirë të kuptoni se krahasuar me marrëdhëniet e republikës sonë me miqtë ndërkombëtarë, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ju jeni bash një hiq i madh, dhe populli shpresoj dhe besoj se shumë shpejt do tua tregoj vendin e merituar”.

Postimi i plotë i tij:

JENI NJË HIQ KRAHASUAR ME MIQTË E REPUBLIKËS

Paskrupullsia e pushtetarëve të tanishëm duket se nuk ka kufi. Për hir të interesit individual, gruporë e klanorë, janë në gjendje të na kthejnë me dekada prapa. Janë të gatshëm të minojnë edhe tërë atë të cilën ky popull i vuajtur e ndërtoi me mund, djersë e gjak ndër shekuj. Kryeministri i tanishëm keqpërdori në mënyrën më flagrante dy çështje të rëndësisë nacionale, demarkacionin dhe asociacionin, madje duke ushtruar dhunë të paparë ndonjëherë ndaj shtetit dhe institucioneve të republikës. Tani na thotë se na tregon më vonë kur mund të kemi liberalizim vizash, ndërsa dialogun as që ka guximin ta prekë, duke na sugjeruar se ka punë tjera “më të mençura”. Në anën tjetër, presidenti i republikës, pas yryshit pa kokë që kishte marrë më herët në lidhje me ushtrinë, tani e bën të njëjtën gjë me gjykatën speciale, duke mashtruar opinionin, ashtu si herën e parë, se ndërkombëtarët na paskan pas premtuar këte apo ate. Zotërinj pushtetarë, është mirë të kuptoni se krahasuar me marrëdhëniet e republikës sonë me miqtë ndërkombëtarë, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ju jeni bash një hiq i madh, dhe populli shpresoj dhe besoj se shumë shpejt do tua tregoj vendin e merituar./Lajmi.net/