Gecaj, Sejdiut: LDK-ja të mundësoi thithjen e ajrit të lirisë

Bajram Gecaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar ndaj një deklarate të Dardan Sejdiut nga Vetëvendosje, i cili tha se LDK-ja ishte në pushtet për 13 vite dhe nuk e çoi asnjë vrasje politike në prokurori.

Lajme

28/02/2016 19:03

Gecaj ka reaguar duke thënë se LDK-ja më së paku ka nevojë për këshilla të rrënuesve anarkist.

Ai e konsideron Sejdiun si një ish-liberal, tani të shndërruar në një neo-komunist dhe anarkist të Lëvizjes Vetëvendosje, transmeton lajmi.net

Ja postimi i plotë i Gecajt:

I paska ardhë radha edhe Dardan Sejdiut “me ja dhënë një rend” fjalësh. Dhe tani ky ish-FRYMA-xhi “liberal”, i shndërruar (transformuar) në një neo-komunist-revolucionaro-anarkist, pjesëtar i Lëvizjes Anarkiste të Vetëvendosjes (LAV), mendon se ka të drejtën dhe kapacitetin të na ligjëroj se çka duhet bërë dhe si do të duhej të sillej Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), parti (lëvizje) kjo e cila i ka mundësuar këtij “transformuesi” të thithë ajrin e lirisë.

Liri kjo të cilën ky, dhe “shokët” e tij nga Brigadat e Kuqe, e keqpërdorin në mënyrën më flagrante, vetëm e vetëm për të ardhë në pushtet përmes dhunës. Më së miri do të ishte që Sejdiu t’ia vë kokës gishtin e të rikthehet në parimet dhe konceptet e tij liberale, ndërsa mirë do të bënte sikur të tentonte qe edhe LAV-in ta civilizonte e demokratizonte. LDK më së paku ka nevojë për “këshilla” të tilla të rrënuesve anarkist.