Gecaj: Oferta e Vetëvendosjes për koalicion ofenduese dhe antidemokratike

Ofenduese dhe në kundërshtim me votat e anëtarësisë së LDK-së, e ka vlerësuar Bajram Gecaj ofertën e Lëvizjes Vetëvendosje për një koalicion me LDK-në, por pas Isa Mustafën.

Lajme

22/03/2017 10:29

Anëtari i LDK-së dhe këshilltari i kryeministrit Mustafa ka thënë se kjo është një kërkesë antidemokratike.

“Lëvizja Anarkiste e Vetëvendosjes (LAV) po thotë se hynë në koalicion me ne por vetëm pa Isa Mustafën në kreun e LDK-së? Kjo përveç që është kërkesë ofenduese, gjithashtu është në kundërshtim me votat e anëtarësisë së gjerë të LDK-së, fal të cilave z. Mustafa është aty ku është”.

“Për më shumë, kjo është edhe kërkesë krejt antidemokratike. Por për aktivistët anarkistë pak qon peshë vullneti demokratik institucional i qytetarëve; me rëndësi është që të përpiqen dhe të shkaktojnë përçarje, dhe mbi të gjitha të vijnë në pushtet me çdo kusht dhe me gjithfarë metodash”, ka shkruar Gecaj në facebook, përcjell lajmi.net.

Ai po ashtu ka thënë se LDK është shkollë e demokracisë nga e cila Vetëvendosje mund të mësojë shumë.

“Ata dhe jo vetëm ata po harrojnë se LDK është shkollë e demokracisë dhe prej saj si dhe prej z. Mustafa anarkistët mund të mësojnë shumë, por ja që anarkistët janë nxënës të pa zellshëm të cilët gjithmonë mungojnë në orët e politikbërjes demokratike dhe shtetndërtimit”, është shprehur Gecaj.

Sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj të martën ka thënë se ata do bënin një koalicion me LDK-në por pa Isa Mustafën në krye të ndonjë posti shtetëror./ Lajmi.net/