Gecaj mohon arritjen e marrëveshjes mes PDK-së dhe LDK-së

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj ka mohuar një koalicion të mundshëm PDK-LDK. 

Lajme

03/11/2014 23:52

Bajram Gecaj ka thënë për Gazetën Blic se kjo nuk është e vërtetë.

“Siç edhe janë në dijeni mediat, kryetari Mustafa është takuar sot me partnerët e Koalicionit të Madh për më se dy orë, ku janë diskutuar rrethanat më të reja në skenën politike kosovare. Ashtu si ka deklaruar edhe kryetari Limaj pas takimit, koalicioni është i qëndrueshëm, i fuqishëm, i bashkuar, dhe i vendosur se institucionet do të formohen nga shumica parlamentare e këtyre katër partive partnere. Pa marrë parasysh disa zëra të ngutshëm të ditëve të fundit, takimi i sotëm ka vërtetuar edhe një herë se objektivi fillestar i dërgimit të PDK-së në opozitë është ende qëllimi kryesor i partneritetit të katër forcave politike shqiptare”, tha Gecaj për Gazetën Blic.

Lapsi.al ka raportuar se LDK e PDK janë marrë vesh për koalicion, ku Isa Mustafa do të jetë kryeministër e Hashim Thaçi president i vendit.

Ndërkaq, burime të Gazetës Express, kanë thënë se Isa Mustafa pritet të udhëtojë javën e ardhshme për në Berlin, ku edhe do të diskutohet për formimin e qeverisë së ardhshme.