Gecaj i kundërpërgjigjet Vulinit dhe Gjuriqit: Njërit ia përmend Rusinë, e tjetrit gjenocidin

Këshilltari i Kryeministrit, Bajram Gecaj ka reaguar ndaj deklaratave të Aleksandar Vulinit, i cili kishte thënë se padia e mundshme nga Shqipëria për Serbinë se ka kryer krime lufte do të ishte e pandershme.

Lajme

18/04/2017 19:44

Gecaj në Facebook ka shkruar se më e pandershme është keqpërdorimi i votës ruse nga Serbia për qëllime të tyre politike, transmeton lajmi.net.

“E pandershme në fakt është që Serbia të keqpërdorë votën ruse për qëllime të saja të pastra politike. Ndërsa, me një kërkesë të tillë, Shqipëria do t’i bënte nderë dhe shërbim të mirë edhe Serbisë, posaçërisht popullit serb atje dhe në Kosovë, por edhe proceseve të pajtimit dhe paqes në Ballkan”, ka shkruar ai në facebook.

Kurse duke i komentuar dekalrat e Gjuriqit se krijimi i Shqipërisë së Madhe ishte ëndërr e Enver Hoxhës, Gecaj ka thënë se Hoxha ishte një diktator, që Kosovën e përmendi vetëm për interesat e tij politike.

“Ndërsa Marko Gjuriqit duhet ta dijë se Enver Hoxha ishte një diktator, i cili çështjen e Kosovës e ka përmendur vetëm për interesa të tija të pastra politike, derisa ideja për një Serbi të madhe është shtyrë me gjak e luftë deri në kornizat e gjenocidit ndaj popujve ballkanikë, nga pushtetarë të cilët ende mbajnë pozita me përgjegjësi shtetërore në Republikën e Serbisë”, thuhet në postimin e Bajram Gecajt në facebook. /Lajmi.net/