GDP kërkon debat në Kuvend për cilësinë dhe sigurinë e ushqimit

Deputeti i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Salih Salihu ka bërë të ditur se nesër së bashku me deputetin Driton Çaushi do të nisin një iniciativë që kërkon nga Kuvendi organizimin e një debati të veçantë në lidhje me cilësinë dhe sigurinë e ushqimit në Kosovë.

Lajme

22/03/2018 22:18

Në një publikim në profilin e tij në “Facebook”, Salihu shkruan se aktualisht Kosova importon sasi të larta të ushqimit për të cilat besohet se nuk i përmbushin kriteret minimale për cilësi dhe siguri.

Sipas tij, nga ushqimi i një cilësie të tillë po rrezikohet shëndeti i qytetarëve.

Lexoni të plotë reagimin e tij:

Të dashur qytetarë të Kosovës,

Ajo çka po ndodh me cilësinë e mishit të importuar nga Belgjika në Kosovë është shqetësuese. Kuvendi i Kosovës duhet të mblidhet, të diskutojë dhe të ndërmerr masa të veçanta për këtë çështje.

Prandaj, bashkë me deputetin Driton Çaushi, në emër të Grupi Parlamentar të Deputetëve të Pavarur nesër në mëngjes do të nisim një iniciativë me të cilën do të kërkojmë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që të organizojë një debat të veçantë në lidhje me cilësinë dhe sigurinë e ushqimit në Kosovë.

Aktualisht Kosova importon sasi të larta të ushqimit për të cilat besohet se nuk i përmbushin kriteret minimale për cilësi dhe siguri, pra janë jashtë çdo norme të cilësisë. Në këtë kuptim, mallrat e ardhura në Kosovë besohet se prodhohen në linja të veçanta të dedikuara për tregun tonë.

Në mungesë të funksionimit të institucioneve të vendit, sidomos Agjencionit te Ushqimit dhe Veterinarisë si dhe doganave të Kosovës, vendi ynë Kosova është bërë poligon i futjes së mallrave më cilësi dhe siguri ushqimore të ulët të ushqimit nga vendet fqinjë dhe më gjerë, duke rrezikuar seriozisht shëndetin publik te qytetarëve tanë.