“Gazzetta dello Sport” zbulon emrin e ekipit të ri të De Biasit

Gianni de Biasi afër një detyre të re.

Sport

04/07/2018 07:17

Gianni de Biasi mund të rifillojw nga stoli i përfaqësueses së Polonisë. Trajneri që e drejtoi kombëtaren polake në Kupën e Botës, Adam Nawalka, ka vendosur të paraqesë dorëheqjen dhe nga sot stoli i “bardhekuqve” ka mbetur pa pronar.

Paraqitja e Polonisë në Botëror ishte zhgënjyese. Disfatat kundër Senegalit dhe Kolumbisë dhe një fitore pa vlera ndaj Japonisë, në ndeshjen e fundit të Grupit H, bënë që Lewandowski me shokë të largoheshin nga Rusia pa lënë asnjë shenjë.

60-vjeçari, i cili e vendosi veten përpara përgjegjësisë për dështimin në Kupën e Botës, u largua nga drejtimi i polakëve pas 5 vitesh. Për të marrë vendin e tij në krye të listës është pikërisht ish-tekniku i Kombëtares Shqiptare, Gianni de Biasi.

Sipas asaj që raporton e përditshmja italiane, “Gazzetta dello Sport”, presidenti i Federatës së Futbollit në Poloni, Zibi Boniek, ka dëshirë që në stol të jetë një trajner italian, i ndikuar edhe nga fakti se për shumë vite ka luajtur në Gadishullin Apenin, madje ka mbuluar edhe rolin e opinionistit në programe të ndryshme.

De Biasi është një nga personat që Boniek vlerëson më shumë edhe si trajner, por edhe në aspektin personal, ndërkohë që në garë me 62-vjecarin nga Samede është një tjetër emër i njohur si ish-trajneri i përfaqësueses së Italisë, Cesare Prandelli. Gianni de Biasi është pa skuadër që nga momenti kur në muajin nëntor klubi spanjoll  i Alaves vendosi të ndërpriste bashkëpunimin me trajnerin që shkroi historinë me Kombëtaren Shqiptare.