Gazmend Muhaxheri me punësime e tenderë të kundërligjshëm

Raporti i auditimit për Pasqyrave Financiare Vjetore të Komunës së Pejës për vitin 2017 tregon për punësime të kundërligjshme në Pejë dhe realizim të kundërligjshëm të tenderëve.

Lajme

20/06/2018 15:59

Së bashku më punësimet e më tenderët, Zyra Kombëtare e Audimit i ka dhënë 19 vërejte Komunës së Pejës e cila drejtohet nga kryetari, Gazmend Muhaxheri, shkruan lajmi.net.

Në 49 raste është gjetur diskriminim në konkurrencën lirë tek punësimet.

Sipas Ligjit Nr.03/L-149 për Shërbimin Civil (nenit 12 pika 4), emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta” të cilat i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit.  Sipas Auditorit, Komuna ka angazhuar 49 zyrtarë përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta, ku janë identifikuar dobësi si në vijim: Në 24 raste periudha e angazhimit të zyrtareve është më i gjatë se sa afati i përcaktuar me rregulla, mbi gjashtë muaj. Ndërkaq, në 28 raste komuna nuk ka zbatuar ndonjë procedurë të rekrutimit konform kërkesave ligjore.

“Dobësitë e identifikuara mund të rezultojnë me mungesë të mirëfilltë të konkurrencës dhe cilësi të dobët të shërbimeve të ofruara. Në mungesë të kontrolleve komuna rrezikon rritje të pa planifikuar të këtyre shpenzimeve që mund të ndikojnë në mos realizimin e objektivave tjera të përcaktuara”, ka thënë Auditori.

Shkelje në përgatitjen e paramasës dhe parallogaritë tek tenderi i rrënimeve të ndërtimeve pa leje

Tek aktiviteti i prokurimit “Rrënimi i objekteve të ndërtuara pa leje në pronat private dhe publike” në Komunën e Pejës, ështëi identifikuar dobësitë në vijim:

Paramasa dhe parallogaria nuk ishte përgatitur nga njësia kërkuese, por si dokument vetëm ishte nënshkruar nga një zyrtar i kësaj njësie, pa kontribuar në një analizë të mirëfilltë të përcaktimit të masës apo llogaritjes të kërkesës për tenderimin e këtij shërbimi. Bazuar në rregullat dhe udhëzuesin operativ për prokurimit publik para inicimit të procedurës së prokurimit duhet përgatitur përmasa dhe parallogaria nga njësia kërkuese për projektin e caktuar.

“Po ashtu përllogaritja e vlerës së kontratës duhet të bëhet bazuar në çmimet e tregut, çmimet e publikuara nga zyra e statistikave apo çmimet e kontratave paraprake të nënshkruara nga autoriteti i njëjtë apo tjetër kontraktues. Megjithatë komuna nuk ka marrë për bazë çmimet e kontratës paraprake me rastin e parashikimit të vlerës së kontratës ku në dy pozicionet dominonte çmimet ishin rritur mbi 100% pa ndonjë arsyetim”, thuhet në raport.

Sipas ekspertëve të Auditorit, përgatitja e paramasës dhe parallogarisë nga njësia kërkuese është në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik dhe njëherësh rrit rrezikun që lloji, dhe sasia e punëve apo furnizimeve të kontraktuara të mos jetë në përputhje me nevojat reale të institucionit, si dhe çmimet të mos jenë në përputhje me çmimet e tregut.

Bile tek ky tender, Auditori ka zbuluar mos respektim të parimeve për ndarjen e detyrave sipas ligjit të prokurimit. “Sipas Rregullës të udhëzuesit Operativ për Prokurim Publik 2016 neni 62.3.- parimet e ndarjes së detyrave, një zyrtar nga një departament i cili ka përgatitur specifikimet teknike ose ka përcaktuar standardet e cilësisë nuk mund të marrë pjesë si anëtarë i komisionit të vlerësimit. Megjithatë, auditimi ynë ka identifikuar tek aktiviteti i prokurimit “Rrënimi i objekteve të ndërtuara pa leje në pronat private dhe publike” në Komunën e Pejës zyrtari i njëjtë i cili ka përgatitur specifikimet teknike ishte caktuar kryetar i komisionit të vlerësimit duke anashkaluar parimet për ndarjen e detyrave”.

Andaj, Auditori ka shfaqur rrezikun që mosrespektimi i parimeve për ndarjen e detyrave është në kundërshtim me legjislacionin përkatës të prokurimit dhe rrit rrezikun për paraqitjen e konfliktit të interesit dhe/apo vlerësim jo-objektiv të tenderëve.

Vendosja e kritereve të paqarta tek aktiviteti i prokurimit

Te aktivitetit i prokurimit “Furnizimi me dru për ngrohje”, te kontrata në vlerë 115,911 euro e datës 23/11/2017, është vërejtur se në dosje të tenderit tek specifikimet teknike nuk ishte specifikuar lloji i drurit për furnizim. Megjithatë, tek përshkrimi i llojit të drurit ishin vendosur disa lloje të drurit (dru dushku, bungu, qarri ose ahu) për të cilat Operatorit Ekonomik duhej të ofronin një çmim të vetëm për m3.  Sipas Auditorit, meqenëse, çmimet dallojnë varësisht nga lloji i caktuar i drurit, mos përcaktimi i qartë i llojit të drurit për të cilin kompanitë duhet të ofrojnë ofertat e tyre shkakton paqartësi tek kompanitë se për cilin lloj të drurit duhet të ofrojnë çmimet e tyre. “Kjo mund të ndikojë që çmimet e ofruara nga operatorët të jenë më të larta, pasi që OE mund të ofrojnë çmime për llojin e drurit i cili është më i shtrenjtë përderisa furnizimi bëhet me dru ahu të cilat kanë çmimin më të ulët”.

Po ashtu, Auditori ka gjetur se Komuna e Pejës ka bërë vazhdimin e kontratës publike kornizë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik. “Sipas nenit 38, të LPP-së, kontrata publike kornizë nuk mund të zgjatet apo të ripërtërihet. Megjithatë, kontrata publike kornizë për “Furnizim me naftë dhe derivate të naftës “ e cila kishte skaduar me datën 01/11/2017, ishte vazhduar me datën 03/11/2017 edhe për dy muaj shtesë, për shkak se procedurat e prokurimit për furnizim me derivate pritet të zhvillohen nga AQP-ja”, thuhet në raport.

Mos raportimi nga përfituesit e subvencione për mënyrën e shfrytëzimit

Në dy raste përfituesit e subvencioneve në vlerë totale 25,000 eurove, nuk kishin përgatitur raporte financiare dhe raportet narrative, të cilat do të dëshmonin se subvencioni është shfrytëzuar për qëllimin e dhënë, ka vërejtur Auditori. “Përfituesit kishin ofruar vetëm disa fatura dhe dëshmi të transfereve bankare në të cilat vërehej se mjetet ishin shpenzuar për qëllime tjera në raport me qëllimin për të cilin janë dhënë. Rregullorja Komunale (K.PE) Nr.01/2017 për subvencione, përcakton që përfituesi i subvencionit duhet të dorëzojnë raportet financiare dhe narrative me dëshmitë e dokumentuara si kërkohet ne projekt propozim”, thuhet ne raport.

Menaxhim jo adekuat i pronave komunale të dhëna me qira

Sipas Ligjit 04l/144, dhënia e pronës së paluajtshme komunale në shfrytëzim bëhet përmes konkurrencës së hapur publike. Komuna, në vitet paraprake ka dhënë me qira 25 objekte komunale për shfrytëzim të përkohshëm. Megjithatë gjatë testeve te Auditorit u identifikua se në katër raste mungonin kontratat dhe dokumentacioni për shfrytëzim të objekteve, ndërsa në tri raste tjera, kontratave u kishte kaluar afati. “Për këto raste komuna nuk kishte zhvilluar procedurat për dhënien e pronës së paluajtshme komunale në shfrytëzim afatshkurtër, realizohen përmes konkurrencës së hapur publike”.

Lidhur më këtë, Auditori ka shfaqur rrezikun që dobësitë e identifikuara mund të rezultojnë me konkurrencë të limituar apo me më pak të hyra nga kjo kategori dhe trajtim jo të barabartë të palëve me rastin e përcaktimit vullnetar (paushall) të çmimeve. Gjithashtu edhe operimi me kontrata të skaduara privon komunën nga e drejta për arkëtimin e të hyrave dhe ndjekjen e proceduarve gjyqësore në raste të mos inkasimit të të farkëtueshmeve me kohë.

Po ashtu, Auditori ka vërejtur edhe mos respektimi të kritereve të konkursit publik. “Në dy rastet në vijim kemi vërejtur se kriteret e konkursit publik nuk janë respektuar me rastin e punësimit të mësimdhënësve. Te konkursi Nr.04/01 i datës 05/01/2017 për pozitën “Mësues/e klase” kandidati i përzgjedhur nuk kishte dokumentuar përvojën e punës. Po ashtu për pozitën “Mësimdhënës nga lënda e biologjisë” kandidati i përzgjedhur nuk kishte dokumentuar trajnimet arsimore në përputhje me kriteret e kërkuara sipas konkursit”. /Lajmi.net/