Gazi “shqiptar” redukton varësinë e Ballkanit nga Rusia

Rajoni i Ballkanit nuk do të jetë i varur plotësisht nga Rusia për furnizimin me gaz, pasi shumë shpejt edhe Shqipëria do të jetë furnizuesja e re e gazit, falë gazsjellësit TAP.

Lajme

28/08/2014 18:19

Kështu ka thënë ministri shqiptar i Ekonomisë dhe Energjetikës, Arben Ahmetaj, duke folur në konferencën për Ballkanin, që po organizohet në Berlin.

Ndërsa u pyet për rëndësinë që ka gazsjellësi TAP për Shqipërinë, Ahmetaj tha se ky gazsjellës e kthen Shqipërinë në një nyje të furnizimit me energji.

“Do të doja të theksoja se në Shqipëri ne besojmë se vendet e vegjël si yni nuk mund t’ia dalin pa integrim në tregun global. Ne jemi një treg i vogël prej 3-4 milionë konsumatorësh dhe 30 milionë si rajon. Duke iu referuar TAP, siguria energjetike dhe furnizimi me energji duhet të shihen të lidhura bashkë për krijimin e një klime të qëndrueshme. Pa sigurinë energjetike, stabiliteti mund të vihet në dyshim. TAP për Shqipërinë do të thotë jo vetëm furnizim me energji, por mbi të gjitha e vendos Shqipërinë në një pozicion shumë të rëndësishëm në hartë”, tha pos tjerash Ahmetaj.