‘Gazi’ i botës!

Për herë të gjashtë Kuvendi i Kosovës mbulohet nga tymi i gazit lotsjellës i opozitës.

Lajme

15/12/2015 09:01

Dy grupet e barrikaduara, pozita në njërën anë, e cila vazhdon as të mos e diskutojë çështjen e marrëveshjeve, dhe në anën tjetër këmbëngulja e opozitës që të bllokojë punën në Kuvend, madje disa deputetë duke thyer edhe arrestin shtëpiak për të ardhur në seancë, e kanë futur vendin në kaos.

Opozita deklaron se nuk ka kush që i ndal, madje as arrestimi i deputetëve të tyre. Kjo situatë ka nxitur reagime të ashpra të Ambasadës Amerikane dhe të shteteve të Quint-it, ndërkohë që seanca u vazhdua me suspendime të pjesërishme të opozitës dhe arrestime të deputetëve të opozitës.

Së pari Aida Dërguti hodhi gaz lotsjellës edhe në kryesinë e Kuvendit, ndërsa më vonë deputetja e opozitës, e cila nuk ishte suspenduar nga kryesia e Kuvendit, Besa Baftiu, nga Lëvizja “Vetëvendosje” dhe u lejua edhe në sallën alternative hodhi përsëri gaz, duke shtyrë edhe për disa minuta punimet e Kuvendit. Pal Lekaj, Time Kadrijaj dhe Teuta Haxhiu të tre deputetë nga AAK-ja janë arrestuar nga Policia e Kosovës pas hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend. Ndërkohë Lëvizja “Vetëvendosje”, përmes një komunikate për media, ka reaguar në lidhje me arrestimet e fundit duke thënë se kjo shton ashpërsinë e autoritarizmit në Kosovë.

Pas këtyre veprimeve të opozitës kanë reaguar ambasadorët ndërkombëtarë në Kosovë, duke shprehur zhgënjimin e thellë të tyre për veprimet në Kuvend.

Ndërkohë që zëvendëskryeministri Hashim Thaçi inicioi përpilimin e një deklarate me të cilën Kuvendi i Kosovës, decidivisht vendos që të shpallë uzurpimin e dhunshëm me mjete të dhunshme të Kuvendit nga disa deputetë të opozitës.

Kurse “Vetëvendosja” ka vazhduar të bëjë të qartë se ata si partia më e madhe opozitare, bashkë me AAK dhe “Nismën” nuk do të heqin dorë deri në kthimin prapa të marrëveshjeve./Zeri