Gazetaria ndër profesionet më të rrezikshme në botë

Vdekja e një gazetari të rrjetit NPR dhe përkthyesit të tij konfirmoi sërish se gazetaria është ndër profesionet më të rrezikshme në botë.

Bota

08/06/2016 13:06

Disa gazetarë vriten aksidentalisht në zona lufte, ose kur raportojnë për konfliktet e dhunshme; të tjerë bëhen objektiv i kriminelëve, fraksioneve politike apo terroristëve. Vitin e kaluar, mbi 70 gazetarë u vranë në mbarë botën.

Muzeumi i gazetarisë në Uashington, i quajtur “Neëseum”, përkujtoi 20 persona nga 11 vende që u vranë gjatë vitit 2015 duke bërë punën si gazetarë.

“2015-ta ishte një vit veçanërisht tragjik për gazetarët. Ne veçuam 20 prej tyre, një numër më i madh se zakonisht, për të përfaqësuar të gjithë ata që u vranë”, thotë Jeffrey Herbst me Institutin e Muzeut të Gazetarisë.

Emrat e 20 viktimave u shtuan tek Memoriali i Gazetarëve, një strukturë xhami dy kate e lartë, që mbart emrat e rreth 2300 anëtarëve të rrjeteve mediatike të vrarë në detyrë që në vitin 1837.