Gazetari që u dëgjua në bisedën e përgjuar me Grabovcin kërkon falje publike

Burim Etemaj është dëgjuar sot duke folur me Adem Grabovcin. Biseda telefonike e vitit 2011 është publikuar në kuadër të përgjimeve nga Insajderi.

Lajme

30/08/2016 20:49

Megjithatë, në përgjim nuk është përmendur emri i Etamjt, por ai ka vendosur të tregojë publikisht se kush ishte personi “X”.

Në një letër të hapur, Etemaj ka kërkuar falje për shetësimet që i ka krijuar familjes dhe lexuesve.

Lexoni letrën e plotë:

E nderuara familja ime

Të nderuar lexues,

Të nderuar gazetarë

Të nderuara redaksi mediesh

Zëri im sot është dëgjuar në publik, gjatë një bisede me z. Grabovci, të zhvilluar në vitin 2011. Për hir të profesionit, për nderë të familjes e për respekt të lexuesve, nuk e mohoj se unë isha ai personi “X” në bisedën e lartcekur.

Unë publikisht kërkoj falje për shqetësimet që i kam shkaktuar sidomos familjes sime dhe lexuesve, dhe ndihem keq për fjalët e shkëputura, e të nxjerra nga konteksti, që u dëgjuan nga kjo bisedë private.

Unë kam punuar më shumë se 10 vite si gazetar dhe tërë komuniteti i gazetarëve dhe lexuesit e medias ku kam punuar më njohin shumë mirë. Megjithatë, si profesionist i medias, e si njohës e si zbatues i etikës në gazetari, e pranoj se fjalët e mia, të dëgjuara në këtë bisedë telefonike, ishin joprofesionale dhe jashtë çdo etike gazetareske.

Të gjithë ata që më njohin e dinë se unë nuk kam qenë dhe nuk jam nga ata që kërkoj nga mediet ose kolegët gazetarë të botojnë diçka për këdoqoftë. Redaksisë së “Epokës së Re”, “Telegrafit”, “KosovaTimes” si dhe medieve tjera që përmenden në këtë bisedë të lirë ju kërkoj falje edhe publikisht, ashtu siç ju kam kërkuar falje privatisht edhe më herët gjatë ditës së sotme. Unë mburrem me punën time mbi 10 vjeçare dhe sjelljen time si gazetar dhe kryeredaktor profesional. Kjo mund të duket paradoksale, por unë nuk kam lejuar kurrë që dikush të ndërhyjë në punën time si gazetar, as unë nuk kam ndërhyrë në punën e askujt, pavarësisht raporteve shoqërore e kolegiale me të gjithë gazetarët. Opinioni i gjerë, sidomos komuniteti i gazetarëve, e di më së miri se kush janë ata gazetarë që kanë qenë dhe janë në shërbim të të tjerëve.

Unë distancohem nga padrejtësia, jo vetëm kur përfshihet interesi im personal, por  gjithashtu kur ajo krijon keqkuptime tek të tjerët.

Me nderime

Burim Etemaj