Gazetari që e bëri Haradinajn njërin ndër 5 personat më të kërkuar në botë, mik i Jeremiqit

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, në një shkrim në revistën prestigjioze “Time” renditet në mesin e pesë personave të arratisur më të kërkuar në botë. Përkrah tij janë Carles Puigdemon i Katalonisë, Fethullah Guleni i Turqisë, Julian Assange i Suedisë dhe Mikheil Saakashvili i Gjeorgjisë.

Lajme

31/01/2018 17:48

“Kryeministri i Kosovës u bë i njohur në fund të viteve të 90-ta gjatë konfliktit që po ndodhte aty. Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzohej për torturë dhe vrasje të serbëve, por në mungesë të provave, ai u lirua nga akuzat në vitin 2008 dhe në vitin 2012. Mirëpo, kjo nuk i mjaftoi Serbisë, që ende nuk pranon ta njohë Kosovën si shtet i pavarur dhe do që Haradinaj të ekstradohet në Serbi për t’u përballur me drejtësinë në gjykatat e saj”, kështu fillon shkrimi në revistën Time për kryeministrin e vendit.

Ky shkrim vazhdon duke përmendur edhe situatën me Gjykatën Speciale. “Jo vetëm në Serbi ai përballet me sfida ligjore. Me urdhër të aleatëve perëndimorë dhe të ndihmuar nga BE-ja, në vitin 2015 Parlamenti i Kosovës ra dakord që të krijohet një gjykatë speciale me bazë në Holandë që vepron nën juridiksionin e Kosovës dhe heton krimet e luftës. Kjo lëvizje u konsiderua si instrumentale në stabilizimin e gjeopolitikës në Ballkan. Vetëm tani ka paralajmërime për shfuqizimin e saj [Speciales], Haradinaj dhe elita politike e Kosovës është duke shikuar për mundësitë e shmangies së kësaj Gjykate”, shkroi revista.

Por kush është autori i këtij teksti? Ian Arthur Bremmer, autori i këtij teksti, është analist politik amerikan shumë i njohur.

Ai punon si kolumnist dhe redaktor në Time që nga viti 2014. Gjithashtu, ai është themelues i Grupit Eurasia që merret me hulumtime të rreziqeve politike globale, shkruan lajmi.net.

Megjithatë, Bremmer del të jetë edhe mik i ngushtë me ish shefin e diplomacisë serbe, kundërshtarin e madh të pavarësisë së Kosovës, Vuk Jeremiq.

“Sa për informatë, autori i shkrimit në TIME Ian Bremmer është edhe mik i ngushtë i Vuk Jeremiqit, dhe pjesëmarrës i rregullt i konferencave të OJQ-së së tij. Me pak hulumtim, mund t’i gjeni ngjarjet e shumta të përbashkëta të tyre, madje edhe private, si kjo foto më poshtë në US Open 2016. Mos harroni që Serbia po punon në të gjitha frontet që të dobësohet imazhi dhe suksesi dhjetëvjeçar i Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran”, ka shkruar këshilltarja e kryeministrit, Meliza Haradinaj-Stublla.

Bremmer është profesor në universitetin e Neë Yorkut. Libri i tij i fundit radhitet ndër librat më të shitur në botë “Superfuqia: Tri zgjedhje për rolin e Amerikës në botë”.

Ian kreu masterin dhe studimet e doktoraturës në drejtimin e shkencave politike në Universitetin e Standfordit. /Lajmi.net/