Gazeta serbe: Shqiptarët po përgatitin sulm në veri

"Autoritetet e Prishtinës me ndihmën e aleatëve të tyre në NATO po përgatisin sulm në kalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak. Qëllimi është konfirmimi i sovranitetit dhe goditje psikologjike ndaj serbëve. Shqiptarët kanë porositur 12.000 raketa hedhës Armbrust nga Gjermania", "zbulon" gazeta serbe!

Lajme

23/05/2018 10:18

Sipas “informatave” të gazetës, “në këtë plan janë përfshirë zyrtarët e lartë të Kosovës, dhe operacioni i hyrjes në Jarinje dhe Bërnjak po përpunohet në bazën amerikane “Bondsteel”. Gazeta pretendon se “qëllimi i aksionit të cilin do ta zhvillonin Forcat e Sigurisë së Kosovës është që të prodhohet efekti psikologjik te serbët në veri të Kosovës, gjegjësisht përshtypja se janë të shkëputur nga Serbia”.

“Ky aksion mund të zbatohet me pajtimin e heshtur të misionit të EULEX-it, mu sikur kohë më parë gjatë hyrjes së forcave speciale ROSU në veri të Mitrovicës dhe arrestimit të Marko Gjuriqit”.

“Në këtë planifikim është konsideruar edhe sulmi i Beogradit, për këtë arsye “burimet të informuara mirë” të gazetës serbe pretendojnë se “shqiptarët kanë porositur 12.000 copë raketa hedhës të llojit “Armbrust” nga Gjermania”.

Sepse vlerësohet se ushtria serbe do ta shfrytëzonte rastin për të hyrë në Kosovë, dhe deri te pikat më të rëndësishme në veri të Kosovës, për shkak të konfiguracionit të terrenit, më së lehti do të arrihej me autoblinda. Dhe pikërisht për këtë “Armbrust” llogaritet si mjet shumë efikas kundër tankeve dhe objekteve të pozicionuara.

Fjala është për armatim të përdorimit të lehtë, i cili mund të përdoret nga të gjitha pozicionet. Raketën mund ta shkrepë një ushtar nga pozita e shtrirë apo të gjunjëzuar. Mund të përdoret edhe nga hapësirat e mbyllura, nuk emeton flakë dhe tym dhe prodhon shpërthim relativisht të vogël të gazrave. Pozita luftarake e saj vështirë zbulohet, gjë që është përparësi në kushtet e luftimeve urbane