Gazeta gjermane: Gjendja ekonomike në Kosovë është më e mirë se sa paraqitet

Gazeta e famshme gjermane, me besueshmëri të lartë, Frankfurter Allgemeine Zeitung, duke marrë shkas nga emigrimi masiv i kosovarëve në drejtim të vendeve të zhvilluara të Europës, me theks të veçantë në Gjermani, ka realizuar një artikull, ku paraqet fakte, se gjendja ekonomike në Kosovë, nuk është edhe aq e keqe sa pretendohet. Për më tepër aty thuhet se Kosova ka njohur zhvillim më të shpejtë se sa vendet e rajonit. Por fati i saj i keq, thuhet të jetë, se vendit po i duhet të ngritet nga një pikë shumë e ulët e zhvillimit, e trashëguar nga e kaluara.

Lajme

15/02/2015 22:33

Biznesmeni gjerman, Hans-Joachim Hemstedt, është i mërzitur me stereotipet rreth Kosovës, veçanërisht për krimin. “Unë atje e lë hapur veturën time, gjë të cilën nuk do të kisha guxuar kurrë ta bëja në Gjermani”, shprehet sipërmarrësi i Brunswick. “Unë kurrë nuk kam hasur në drogë apo në korrupsion”, transmeton lajmi.net.

Ky biznesmen i cili prej shtatë vitesh vepron në Ballkan, shumicën e kohës e kalon në Drenas, ku ka investuar 4 milion euro për ndërtimin e fabrikës për ndërtimin e ashensorëve, të emërtuar “Liftkos”.

Cilësia e produkteve të prodhuara në Kosovë nga kompania e tij, ai thotë të jetë e ngjashme me Gjermaninë, dhe tregon se “Liftkos”, eksporton në edhe në vende të zhvilluara si Britania e Danimarka.

Ai thotë se stafi lokal, ku përfshihen inxhinierë, dhe të tjerë, janë të kualifikuar dhe flasin gjermansht.

Ndërsa, sa i përket rrezikut të kursit të këmbimit, thotë se ai nuk ekziston fare në Kosovë, pasi atje për monedhë zyrtare është euro.

Gazeta e famshme gjermane vazhdon shkrimin duke thënë se zhvillimi i Kosovës që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, nuk është edhe aq i keq. Prodhimi industrial në vitin 2014 thuhet se është rritur me 10 për qind. Produkti i brendshëm bruto është rritur me 5 për qind.

Ndërsa, rritja rritje ekonomike që nga viti 2008 e deri tani është 27 për qind, perkunder krizes ekonomike globale. Një rritje të tillë nuk e ka pasur asnjë vend i bllokut të lindjes, përpos Kazakistanit, i cili ka shënuar rritje të tillë për shkak të resurseve natyrore.

“Dinamika e zhvillimit në Kosovë është më e mirë se sa në vendet e rajonit, por nga një bazë e vogël”, thotë Mario Holzner, ekonomist në Institutin e Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare.

Paga mesatare në Kosovë për vitin 2014 në terma nominalë është rritur me 18 për qind, por që arrin vlerën vetëm 420 euro në muaj.

Të ardhurat për kokë banori janë 2900 euro në vit, dhe sipas fuqisë blerëse 5800 euro në vit.

Megjithatë shumë kosovarë vazhdojnë të jetojnë në varfëri të skajshme, me vetëm 1.25 dollarë në ditë.

Një nga problemet më të mëdha është papunësia e lartë. Tani ajo llogaritet të jetë rreth 30 për qind, por në vitin 2010 ishte në shkallën 45 për qind.

Tregu i punës ka kapacitete të vogla prodhuese, pasi shumica e kompanive operojnë me dy punëtor.

Vendi varet shumë nga remitancat e shqiptarëve që jetojnë në emigracion, dhe ndihmat ndërkombëtare për zhvillim.

Por një nga potencialet më të mëdha që ka Kosova, thuhet të jetë mosha mesatare shumë e re e popullsisë. (lajmi.net)