Gaza, pas tensioneve mbahen funeralet e 58 viktimave të së hënës

Në Rripin e Gazës janë mbajtur këtë të martë funeralet e 58 të vrarëve të një dite më parë, kur trupat izraelite hapën zjarr mbi protestuesit palestinezë, në ditën më të përgjakur të dhunës që nga viti 2014.

Bota

15/05/2018 17:59

Varrimet koinçidojnë me përvjetorin e 70 të asaj që palestinezët e quajnë “Nakba”, një zhvendosje masive e palestinezëve pas krijimit të Izraelit.

Ushtria izraelite tha se po përgatitej për konfrontime të reja të martën, por grupet palestineze lanë të kuptohej se do të përmbaheshin nga protestat.

Dhuna e së hënës erdhi ndërkohë që Shtetet e Bashkuara përuruan Ambasadën e tyre në Jeruzalem, një lëvizje kjo e polemizuar që përmbysi dekada politikë të jashtme amerikane dhe ndezi zemërimin e palestinezëve.

Këta të fundit e konsiderojnë Jeruzalemin Lindor si kryeqytet të shtetit të ardhshëm palestinez. Ata e shohin lëvizjen e Amerikës si një mbështetje të kontrollit izraelit mbi të gjithë qytetin, që në fakt Izraeli e konsideron kryeqytetin e tij të pandashëm.

Zyrtarët palestinezë thanë se, përveç të vrarëve, rreth 2.700 persona të tjerë janë lënduar në dhunën e së hënës dhe besohet se kjo ishte dita më vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga viti 2014.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se ushtria po vepronte në vetëmbrojtje, ndërsa kreu i Autoritetit Palestinez e konsideroi atë që ndodhi, një masakër. Kombet e Bashkuara, ndërkohë, folën për shkelje të rënda të të drejtave njerëzore.