Gaza nuk mund të mbetet e shkëputur nga bota

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka deklaruar se territori palestinez i Gazës nuk mund të mbetet përgjithmonë i shkëputur nga bota.

Bota

07/08/2014 10:17

Ai tha se Gaza nuk mund ta mbajë veten dhe nuk është e aftë të sigurojë vende pune dhe rritje ekonomike për popullin e vet.

Presidenti amerikan u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ai nuk ka simpati për udhëheqësit e Hamasit, por shtoi se duhet t’u ofrohen mundësi popullsisë së Gazës.

Hamasi po kërkon që Izraeli dhe Egjpti ta heqin bllokadën ndaj Gazës, si kusht për një armëpushim afatgjatë me Izraelin.

Bllokada izraelite ka si qëllim që militantët radikal islamikë të Hamasit të mos bëjnë kontrabandë me armë në rajon, por ajo (bllokada) e ka ngrirë edhe ekonominë e vogël të Gazës dhe lirinë e lëvizjes. 

Presidenti tha se SHBA mbështesin bisedimet për armëpushimin që janë duke u mbajtur në Kajro mes delegacioneve izraelite dhe palestineze.

Autoritetet izraelite janë shprehur se do ta shtyjë armëpushimin 72 -orësh me militantët e Hamasit në Gazë, ndërsa në Kajro vazhdojnë bisedimet për një armëpushim afatgjatë, të cilin e ka kërkuar edhe presidenti amerikan, e po ashtu edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon.

Armëpushimi skadon të premten në mëngjes, sipas orës lokale, por  përfaqësuesin e Hamasit kanë lënë të kuptohet se armëpushimi mund të mos zgjatet, pasi sipas tyre, ende nuk është  arritur një marrëveshje.

Vrasja e tre të rinjve izraelitë muajin e kaluar ka nxitur luftimet mes ushtrisë izraelite dhe militantëve të Hamasit, që për pasojë kanë lënë të vdekur rreth 1500 palestinezë, shumica dërmuese civilë dhe rreth 60 ushtarë izraelitë.  

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ndërkohë ka deklaruar se veprimet e Izraelit janë të “justifikuara”.

 Ai e cilësoi çdo viktimë mes civilëve palestinezë si një tragjedi, por tha se hedhja e raketave në territorin palestinez nga Hamasi dhe përdorimi i civilëve si mburoja njerëzore është e papranueshme.

Izraeli kërkon çmilitarizimin e Gazës, ndërsa Hamasi këmbëngul që Izraeli dhe Egjipti të heqin bllokadën e tyre afatgjatë në rajon.