Gattuso: Po të ishte në dorën time do të transferoja Pogban, CR7 dhe Messin

Milani nuk fiton prej 5 takimesh radhazi në Serinë A dhe takimi I nesërm në mbrëmje, përballë Beneventos shikohet si ideali për t’u rikthyer te suksesi. Skuadra e Gattusos do të presë në ‘San Siro’ skuadrën e parë që ka siguruar rënien në Serinë B dhe 3-pikëshi është detyrim për kuqezinjtë, që të ruajnë pozitat në zonën Europa League. Vetë trajneri i Milanit, Genaro Gattuso bëri thirrje për përqendrim, pasi ndaj Beneventos nuk do të jetë aq e lehtë sa duket në letër.

Sport

20/04/2018 21:56

“Benevento ka shumë element të mirë në përbërje dhe duhet të bëjmë kujdes. Për të fituar duhet të respektojmë kundërshtarin dhe të japim maksimumin në fushë, pasi Benevento luan e qetë dhe mund të surprizojë në çdo moment”, tha Gattuso.

Trajneri i Milanit tha se gara për Europa Leaguen do të jetë vërtetë shumë e vështirë, pasi përveç kuqezinjve, janë edhe 4 skuadra të tjera që e synojnë këtë pozicion.

“Përveç nesh, në garë për një vend në zonën europiane janë edhe Atalanta, Fiorentina, Sampdoria dhe Torino, ndaj për t’ia dalë, nesër duhet të marrim maksimumin. Sa i përket formacionit, do të më duhet të verifikoj fillimisht gjendjen e Calabrias dhe Calhanoglusë, ndërsa më pas do të vendos”, deklaroi Gattuso.

Sa i përket sezonit të ardhshëm dhe merkatos, Gattuso duket se i ka idetë e qarta. Ai nuk kërkon ndryshime rrënjësore, por 3-4 afrime cilësore, që do të shtonin kualitetin në skuadër.

“Sa i përket merkatos, nuk besoj se ka nevojë për revolucion, por për afrimin e 3-4 lojtarëve, që mund të na shtonin cilësinë dhe konkurrencën. Nuk dua të përmend emra, pasi më parë duhet të bisedoj me drejtuesit e klubit. Por, po të ishte në dorën time, do të preferoja Pogbanë, Cristiano Ronaldon dhe Messin”, tha me humor Gattuso.