Gati për fillimin e vitit të ri shkollor

Komuna e Prishtinës i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor 2018-2019. Zyrtarët komunalë thonë se janë në përfundim e sipër të të gjitha punëve teknike në renovimin e objekteve shkollore, në mënyrë që viti i ri të fillojë me kohë. Ata thonë po ashtu se përmes një tenderi të shpallur, shkollat janë duke u pajisur edhe me inventarë të nevojshëm për zhvillimin e procesit mësimor.

Lajme

24/08/2018 09:07

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj, tha për Radio Kosovën se përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor kanë hyrë në fazën finale. “Përveç riparimit të objekteve që kanë pasur më shumë nevojë këtyre ditëve, jemi duke u pajisur me inventarë të nevojshëm përmes një tenderi që ka shpallur komuna,” tha Salihaj.

“Kemi një tender për inventar që e kemi shpallur, dhe shkollat po i paraqesin  çdo ditë nevojat e tyre dhe ne po reagojmë. Po ashtu gëlqerosja po bëhet në ato shkolla ku gjendja është më e keqe. Kemi një kontratë kornizë për reagimet e shpejta dhe po bëjmë intervenime në kopshte, shkolla fillore, shkolla të mesme të ulëta dhe shkolla të mesme profesionale”, tha ai.

Salihaj po ashtu theksoi se punimet që kryhen aktualisht kryesisht janë donacione të huaja, të cilat do të mundësojnë që viti i ri shkollor  të fillojë me kohë. Ai tha se ky vit do të jetë viti më i mirë sa i përket përgatitjeve.

“ Krejt këto janë investime të komunës dhe donacione të huaja, por dominojnë donacionet e huajave. Ne vetëm po investojmë më një pjesë të vogël. Jemi gati po asnjëherë s’mund të themi që jemi perfektë, sepse kemi 70 institucione të arsimit para universitare në Komunën e Prishtinës dhe të gjitha këto kane nevoja. Por, besoj që do ta presim vitin e ri shkollor më mirë se çdo herë tjetër.”

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, pas një vizite që bëri në Shkollën fillore të mesme të ulët “ Elena Gjika” , ku po zhvillohen punimet për rinovimin e kësaj shkolle , theksoi se ky objekt shkollor ka pasur nevojë të madhe për rinovim. Në ketë shkollë deri me tani mësimi është zhvilluar në kushte shumë të rënda, duke pas parasysh që është njëri ndër objektet me të vjetra në kryeqytet dhe deri me tani nuk është rinovuar as një herë në tërësi.