Gashi për kërkesën e Turqisë për kapjen e ‘gylenistëve’: Nuk veprojmë sipas qejfit të Erdoganit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi, ka thënë se Kosova nuk guxon të gabojë përsëri në rastin e ‘gylenistëve’.

Lajme

25/10/2018 17:58

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Dardan Gashi, ka folur rreth kërkesës së ministrit të Jashtëm të Turqisë, Mevlut Cavosuglou, për mbylljen e shkollave të Fetullah Gulenit dhe kapjes së ‘gylenistëve’ të tjerë të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre në Kosovë.

Gashi ka thënë se institucionet e Republikës së Kosovës nuk mund të veprojnë sipas qejfit të  Erdoganit.

“Nuk mund të luajmë këtu si t’i teket dikujt në Ankara apo në Stamboll. Ai kur ka qenë mirë me Gulenin i ka hapur shkollat. Dhe tash për shkak se i ka prishur raportet, po kërkon që t’i mbyll shkollat”, ka thënë Gashi.

Gashi ka thënë se me deportimin e 6 shtetasve turq ishte bërë një gabim, dhe thotë se nuk duhet gabuar përsëri me gjëra të tilla.

“ Është bërë një gabim me depërtimin e atyre gjashtëve. Shpresojmë të mos gabojmë me gjërat të tilla pa vendos dikush nga drejtësia jonë se është përfshirë në aktivitete të dyshuara terroriste, askush nuk guxon të preket”, është shprehur zëvendëskryeministri Gashi në T7.