Gashi paralajmëron arrestime për uzurpatorët

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Dardan Gashi paralajmëron arrestime të tjera edhe në ditët në vazhdim, për të gjithë ata që kanë shkelur ligjin.

Lajme

03/04/2014 15:15

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Dardan Gashi ka thënë se të  gjithë keqpërdoruesit do i gjen fati i njëjtë  sikur me arrestimin e pretenduesit të pronës së Shpellës së Gadimes, Nazif Tasholli.

Në rrjetin social facebook ai thotë se është e pakuptimtë se si një individ, që nga përfundimi i luftës përvetëson pozitë, uzurpon dhe abuzon me pronën e shtetit madje duke insistuar të bëjë çdo shkelje të respektimit të Ligjit.

“Është po aq e pakuptimtë se mund si tolerohet një uzurpator nga të gjitha qeveritë lokale dhe qendrore të pasluftës. Të uzurposh dhe t’a dëmtosh shtetin natyrisht se duhet të ndëshkohesh, dhe njëjtë si në rastin e Shpellës së Gadimes, ashtu do të veprojmë me të gjithë shkelësit e ligjit”!

“Aksione të ngjashme të shkelësve të ligjit, do të vazhdoj të ketë edhe gjatë ditëve në vazhdim”, shkruan Gashi, në profilin e tij në facebook.

Ndryshe, ndaj Nazif Tashollit, MMPH-ja pati ngritur tri padi dhe arrestimi ka ndodhur ngaqë edhe pse kishte dorëzuar çelësat e Shpellës, bashkë me të birin e tij, ka kërcënuar punonjësit duke kërkuar të ketë qasje në Shpellë.