Gashi: Pala serbe fajtore për pritjet në Merdar

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi bashkë edhe me ushtruesin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Naim Rexha, kanë vizituar sot komunën e Podujevës ku janë pritur nga kryetari i komunës, Agim Veliu.

Lajme

25/07/2018 16:45

Pas takimit me kryetarin e komunës Gashi  dhe Rexha kanë vizituar pikën e kalimit kufitar në Merdare për të parë nga afër se si po zhvillohen punimet  aty.

“Sot realizuam një vizitë në Komunën e Podujevës, me qëllimin që të informohem për zhvillimet që komuna përballet dhe angazhimet që janë marrë shtesë në kuadër të komunës për t’u mobilizuar në ditët e verës. Ky mobilizim vjen si nevojë e shtimit të fluksit të bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në perëndim, dhe në këtë drejtim komuna është zotuar që kanë marrë angazhime shtesë për të plotësuar kërkesat që qytetarët kanë”, tha Gashi.

Ai falënderoi UNOPS-in për punën e vazhdueshme që janë duke e bërë në këtë pikë kalimi, si një nga pikat më të frekuentuara momentalisht.

Kolonat në këtë pikë kalimi vijnë si rezultat i palës serbe e cila nuk po i respekton marrëveshjet e Brukselit, ndërsa probleme tek pala kosovare nuk ka dhe për një veturë pritja në pikë kontrollin e Kosovës zgjatë 3-5 minuta.