Gashi: Opozita përgjegjëse për ngjarjet, Thaçi kandidat joserioz për president

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se shpreson që seanca e sotme e legjislativit të jetë e fundit me gaz lotsjellës dhe me nxjerrje zvarrë të deputetëve.

Lajme

19/02/2016 18:50

“Unë pres që kjo të jetë seanca e fundit që të ketë kësi zhvillimesh”.

Gashi duke komentuar heqjen dorë nga mandati i deputetit nga Ramush Haradinaj dhe mundësinë që të gjithë deputetët e opozitës ta bëjnë këtë gjë, deri në fund, ka thënë se për këtë rast nuk kemi procedurë kushtetuese.

“Nëse asnjëri prej tyre nuk i do mandatet, hyjmë në një paqartësi kushtetuese, ose krijojmë një precedent për këtë gjë”.

Ai ka thënë se fajtore për situatën në Kuvendin e Kosovës është opozita, ndërsa nuk e ka lënë pa përmendur edhe “menaxhimin e dobët”, siç e quajti ai drejtimin e seancave nga Kadri Veseli.

“Për ngjarjet në Kuvend përgjegjësi kryesor është opozita dhe menaxhimi shumë i dobët nga Kadri Veseli”.

“Mbi të gjitha situata që po zhvillohet në Kuvend është e papranueshme dhe besoj që është hera e fundit kur deputetët nxirren zvarrë”.

Gashi ka komentuar edhe deklaratat e Hashim Thaçit pas protestave të opozitës më 17 shkurt, duke goditur edhe një herë kandidimit e tij për president të vendit, njofton Klan Kosova.

“Sigurisht nuk ishin fjalë të një kandidati serioz për president”.